Nuk dihen arsyet e aksidentit në rrugën e Kodrës së Diellit

Nuk dihen arsyet e aksidentit në rrugën e Kodrës së Diellit

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Mbeten ende mister arsyet e aksidentit të fundjavës në rrugën e Kodrës së Diellit, kur një makinë ra në humnerë rreth 100 metra poshtë në greminë, duke i shkaktuar vdekjen një 80-vjeçari, shtetas i Austrisë.

Rasti u paraqit nga motoçiklistë të rastit, dhe zjarrfikësit dhe policia që mbërritën pas 15 minutash, veçse konstatuan vdekjen e të moshuarit nga Vjena. Sipas të dhënave të policisë,

“Më datë 7.4.2024 rreth orës 17:20 në SPB – Tetovë u raportua se në rrugën rajonale Tetovë – Kodra e Diellit në hyrje të Rasadishtës së Tetovës, automjeti i pasagjerëve “Suzuki” me targa austriake, i drejtuar nga. E.W. (80) nga Vjena – Republika e Austrisë, ka dalë nga rruga.  Në aksident, drejtuesi i cili ishte i vetëm në automjet ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.  Një mjek nga Emergjenca mjekësore ka konstatuar vdekjen, ndërsa në vendin e ngjarjes kryen inspektim prokurori publik dhe ekipi inspektues nga SPB- Tetovë”, thonë nga Policia e Tetovës.

Megjithatë, dyshimet për këtë aksident u shtuan kur ndër sendet e gjetura është vërejtur një çantë me para. Kjo nuk shënohej në buletinin paraprak të policisë, por më vonë, nga SPB-ja thanë se hetimet nuk janë mbyllur ende dhe materiali akoma nuk i është dorëzuar prokurorisë. Nga njësiti i zjarrfikësve pranuan gjetjen e një sasie parash por thanë se ato i kanë kaluar policisë.

“Arritëm shpejt me policinë e Tetovës dhe ca motoristë që kishin ngel pas veturës që e kishin parë rastin. Pamë edhe viktimën jashtë veturës. Gjëra të dyshimta si alkool apo diçka të rrezikshme nuk kishte. Ishte një rënie e thellë e makinës diku 150 metra. Viktima ishte jashtë makinës, gjërat po ashtu të shpërndara jashtë. Ka edhe fotografi dhe gjëra që dokumentuam, pamë rreth veturës të holla si dinarë të Serbisë, euro dhe denarë të Maqedonisë së Veriut. Në një çantë, në një pjesë të saj, sipas të dhënave që panë dhe zjarrfikësit tjerë, kishte një shumë më të madhe parash që i kishte poseduar viktima. Një sasi më e madhe e eurove”, tha Avni Ameti, shef i NJTKZ – Tetovë.

Policia e Tetovës thotë se të gjitha sendet e gjetura janë aktualisht në Stacionin Policor të Tetovës. Deri tani, gati është vetëm raporti paraprak i mjekësisë, për vdekje si pasojë e gjakderdhjes së brendshme.

Por, rasti ende nuk ka përgjigje për itinerarin e mëhershëm që ka pasur shtetasi austriak nëpër Tetovë, prej nga vinte, kë takonte dhe përse i nevojitej kjo shumë parash.

Megjithatë, për rastin është njoftuar edhe Departamenti për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, Ministria e Jashtme, Ambasada e Austrisë si dhe Zyra e Interpolit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button