Gazetare: Ajnur Bafqari
77 vende pune, por vetëm 12 për shqiptarët. Ky është rezultati që, sipas burimeve brenda Drejtorisë së të Ardhurave Publike, ka dalë nga konkursi i fundit i brendshëm në këtë institucion. 65 vendet e tjera janë plotësuar me pjesëtarë të komunitetit maqedonas.
Konkursi është mbyllur më 28 gusht, ndërsa rezultatet tashmë janë të publikuara brenda institucionit.
Por ankesat për përfaqësimin etnik, sipas burimeve, nuk lidhen vetëm me konkursin e fundit. Sipas tyre, në tre vitet e fundit janë zhvilluar katër deri në pesë konkurse të brendshme, ndërsa në secilin prej tyre përfaqësimi i shqiptarëve ka qenë rreth 10 deri në 15 për qind.
Nga Drejtoria për të Ardhura Publike shkurt thanë se punësimet nuk janë bërë në bazë të përkatësisë etnike.
“Konkurset e brendshme të zhvilluara janë transparente dhe zhvillohen në bazë të kushteve dhe kritereve të përcaktuara për vendet e punës për të cilat shpallet konkursi i brendshëm dhe jo në bazë të përkatësisë etnike ose ndonjë përkatësie tjetër”, thanë nga Drejtoria për të Ardhura Publike.
Ndërkohë nuk ka një pasqyrë të qartë e publike lidhur me punësimet në këtë institucion, pas shfuqizimit të balancuesit. Të dhënat e fundit të publikuara për përfaqësimin e drejtë nga ana e Avokatit të Popullit, i referohen vitit 2024. Sipas kësaj liste nga gjithsej 946 të punësuar, 663, apo 70 për qind janë maqedonas, ndërsa 239, apo 25 për qind janë shqiptarë. 5 përqindëshi tjetër është ndarë për turqit, romët, serbët, vllahët, boshnjakët dhe të tjerët.
Sipas të dhënave të njëjta, në pozitat udhëheqëse 61 janë maqedonas ndërsa vetëm 9 shqiptarë.
Shqetësimet, sipas burimeve, shtrihen edhe te drejtuesit rajonalë. Në Drejtorinë Rajonale të Shkupit, për herë të parë, edhe drejtori rajonal edhe zëvendësdrejtori janë maqedonas./Alsat.mk.








