Gazetar: Suad Bajrami
Të gjithë të akuzuarit për tragjedinë e Llaskarcës ku humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë u lënduan, janë liruar nga burgu. Gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata e Gostivarit, Qirko Mihajlloski konfirmoi për Alsat se të akuzuarit janë lëshuar në liri pas vendimit të Gjykatës Supreme për ta shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin iu rritën dënimet të akuzuarve.
Për ekzekutimin e vendimit të shkallës së parë me të cilin, të akuzuarit u dënuan me dënime më të ulëta, Mihajllovski thotë se nuk është i plotfuqishëm, prandaj duhet të pritet se çfarë do të vendos sërish Apeli.
Ndaj të akuzuarve janë shfuqizuar edhe të gjitha masat e kujdesit për sigurimin e pranisë, pavarësisht se më herët disa prej tyre kishin obligim të paraqiteshin në gjykatë, e disa kishin dhënë edhe garanci se nuk do të arratisen.
Ndërkohë tërë këto zhvillime vazhdojnë ta gjejnë në arrati të akuzuarin Remzi Miftari, i cili mbase tani nuk do të ketë arsye të fshihet nga drejtësia. Gjyqtari Mihajllovski konfirmon për Alsat se pas vendimit të Supremes, do të kërkojnë nga MPB që t’i hiqet fletëarresti i brendshëm, por edhe ndërkombëtar. Miftari kishte shtyrë mbajtjen e dënimit me arsyetimin se po bëhet operacion për “Hernia” apo “kilë”, por pas shërimit në vend se të paraqitej në burg, u arratis.
Për të njëjtën diagnozë, gjashtë muaj e kishte shtyrë fillimin e mbajtjes së dënimit edhe i akuzuari i parë Durmish Beluli, i cili gjithashtu kishte bërë dy operacione për “Hernia”.
Familjarët e viktimave të “Llaskarcës”, mbajtën protestë, ndërsa u shprehën se Belulin e kishin parë duke u shëtitur nëpër qytet.
“Unë tani duke ardhur këtu. Ja për këtë konferencë për shtyp në ora 11, Durmish Beluli me veturë vozit këtu te Bulevardi “Braqa Xhinovski”. Para ca kohësh, i akuzuari i parë është në dasmë në një kafene”, ka deklaruar familjari Bllagojçe Trpeski më 15 shtator të vitit 2025.
Megjithatë, për dallim nga Miftari ai në janar u paraqit për ta mbajtur burgun. Pas vendimit të Supremes, pas nëntë muajsh Beluli sërish del nga burgu.
Me këtë rast, Beluli shfrytëzon mundësinë për të dhënë porosi në rrjetet sociale se “heshtja nuk është më virtyt”. Ai porosit se vendimet gjyqësore duhet të respektohen, por drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e bazuar ekskluzivisht në prova, e jo në presione politike dhe mediatike. “Jam shumë i bindur se asnjë presion nuk mund të mbajë të burgosur pafajësinë dhe lirinë”.

Vendimi i Supremes ka shkaktuar reagime të forta në opinion, pasi rrëzoi dënimet më të ashpra të Apelit për të akuzuarit dhe riktheu dënimet e shkallës së parë, ndërsa palët sërish do të përballen në Apel. Pra, pronarit të kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Belulit i hiqet dënimi me 10 vjet burgim dhe i rikthehet dënimi me 4 vjet. Përgjegjësit të transportit Remzi Miftarit i hiqet dënimi prej 10 vjet burgim, ndërsa i rikthehet dënimi me 6 vjet burgim. Shefit të kontrollit teknik Igor Gjorgjievski i rikthehet dënimi nga 7 në 5 vjet burgim, ashtu sikur edhe kontrollorit teknik Goran Dukovski. Ndërkohë kontrollorit teknik Jane Babarovski i mbetet dënimi 5 vjet burgim, ashtu sikur edhe shoferit Manoil Trifunovski i cili u dënua më së shumti me 14 vjet burgim.
Procesin gjyqësor ndër vite e ka ndjekur hija e akuzave për zvarritje duke i atribuuar thënien “drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”, pasi plotë 7 vite kanë kaluar dhe ende nuk ka një epilog. /Alsat.mk








