“Kafshë, egërsira, jeni të çmendur” – Përplasje mes punonjësve dhe kryetares së Gjykatës Themelore në Kumanovë

Gazetar: Avni Tahiri

“Kafshë, egërsira, jeni të çmendur, asgjë nuk dini, do t’u ndez.”

Me këto fjalë kryetarja e Gjykatës Themelore në Kumanovë, Snezhana Manev, sipas kryetarit të sindikatës së punonjësve në administratë, u është drejtuar punonjësve administrativ në Institucionin që ajo e drejton.

Sipas Tërpe Deanoski, këto ofendime janë vetëm një pjesë e asaj që të punësuarit e Gjykatës themelore të Kumanovës kanë dëgjuar nga kryetarja. Sipas tij, Maneva, shqiptarët i ka ofenduar në bazë nacionale duke u thënë se janë të pa aftë.

“Të sharat që ka drejtuar ndaj të punësuarve me vjen turp që t’i them. Këto janë vetëm një pjesë e ofendimeve që të punësuarit e gjykatës themelore të Kumanovës i durojnë me vite, nga kryetarja e kësaj gjykate Snezhana Maneva. Ajo i ofendon të punësuarit edhe në bazë fetare dhe nacionale dhe e njëjta është evidentuar edhe në raportin e këshillit gjyqësor që nga viti 2023. Apo që kryetarja e gjykatës i ka prishur raportet njerëzore ndërsa gjykatësit shqiptar i ka ofenduar në bazë nacionale dhe ka thënë se nuk janë të aftë dhe se janë të çmendur” tha: Tërpe Deanoski – Kryetar i Sindikatës së Punonjësve në Administratë, Organe Gjyqësore dhe Shoqata.

Edhe pse sot të punësuarit administrativ të gjykatës së Kumanovës dolën për të shprehur revoltën para gjykatës, pas përfundimit të pres konferencës përsëri u kthyen në vendet e tyre të punës. Kryetar i Sindikatës së Punonjësve në Administratë, paralajmëroi se nëse në afat prej tetë ditësh nuk jep dorëheqje kryetarja e gjykatës Maneva, atëherë të punësuarit do të dalin në protestë. Ai kërkon nga Këshilli Gjyqësor të veprojë sipas ankesave të paraqitura

“Puna vazhdon në mënyrë të rregullt dhe falë këtyre të punësuarve nuk ka asnjë ndalesë ndërsa punët kryhen në kohë. Nëse nuk merren parasysh kërkesat tona ne do të marrim masa më radikale si protesta por edhe bllokadë të gjykatës”tha: Tërpe Deanoski – Kryetar i Sindikatës së Punonjësve në Administratë, Organe Gjyqësore dhe Shoqata.

Kryetarja e Gjykatës themelore të Kumanovës sot nuk ishte e pranishme për të dhënë përgjigje para kamerave por përgjigjën na e dorëzuan me shkrim. Maneva i mohon akuzat nga 75 të punësuarit.

“Unë jam gjyqtare prej 21 vitesh dhe prej 9 vitesh jam Kryetare e Gjykatës Themelore të Kumanovës. Deri më tani nuk kam pasur kurrë probleme me punonjësit, as me organizatën sindikale. Pretendimet se atmosfera e punës është prishur nga ana ime, përmes veprimeve dhe sjelljeve të paligjshme dhe të pahijshme ndaj punonjësve, se procesi i punës është penguar nga ana ime dhe se kjo ka shkaktuar frikë, shqetësim dhe pasiguri për atë se çfarë do të ndodhë çdo ditë në vijim, janë plotësisht të pasakta dhe të pavërteta”tha; Snezhana Manev në komunikatë për media, Kryetare e gjykatës së Kumanovës.

Manev tha se protesta ishte organizuar nga një administrator i gjykatës, kryetarja e sindikatës, një nëpunës dhe disa punonjës. Arsyeja e protestës, sipas saj, është procedura disiplinore kundër administratorit të gjykatës për, siç thotë ajo, kryerje të pakujdesshme, në kohë ose me neglizhencë të detyrave të punës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button