Autoritetet polake kanë arrestuar një 17-vjeçar të dyshuar për planifikimin e një sulmi masiv terrorist, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij u zbuluan armë, eksplozivë dhe materiale me simbole naziste.
Agjencia e Sigurisë së Brendshme e Polonisë (ABW) njoftoi se i dyshuari, i cili sipas ligjeve vendase uidentifikua vetëm si Paweł G., ishte i magjepsur nga ideologjia naziste dhe komunikonte në grupe online në platforma si Telegram e Discord, ku analizonte sulmet e mëparshme terroriste. Sipas prokurorisë, nga analizimi i pajisjeve të tij u zbuluan plane konkrete për sulme të shkallës së gjerë ndaj një shkolle dhe një xhamie, përfshirë vëzhgimin e objektivave dhe sigurimin e mjeteve shpërthyese.
Ministri i Drejtësisë theksoi se i dyshuari është ngarkuar zyrtarisht me tre vepra penale, ndër të cilat përgatitja e sulmit terrorist për të vrarë një numër të madh njerëzish, vepër e cila parashikon deri në 15 vjet burgim. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për ta mbajtur në paraburgim për tre muaj.
Ky operacion vjen vetëm pak ditë pasi autoritetet polake ndaluan dy 16-vjeçarë të tjerë në kuadër të të njëjtit hetim ndaj rrjeteve ekstremiste dhe radikalizmit të të miturve në internet.Operacion i antiterrorit në Poloni: Pranga adoleshentit që frymëzohej nga nazizmi për të sulmuar shkolla./Alsat.mk








