Forcat izraelite, operacion në Rafah, Blinken: dëmi ndaj civilëve, i tmerrshëm
Forcat izraelite, operacion në Rafah, Blinken: dëmi ndaj civilëve, i tmerrshëm

Gazetare: Xhesika Sallahi
Ndërkohë që forcat izraelite shtrin edhe më thellë operacionin e tyre në Rafah, paralajmërimet vazhdojnë kundër ofensivës në rritje, e konsideruar si streha e fundit në Gaza për më shumë se një milion civilë si dhe bastioni i fundit i Hamasit. Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken përsëriti kundërshtimin ndaj një sulmi të madh ushtarak ndaj Rafahut. Ai tha se Izraeli veproi në mospërputhje me të drejtën ndërkombëtare.
“Rezultatet që kemi parë, lidhur me humbjen e tmerrshme të jetës së civilëve të pafajshëm, është e arsyeshme të vlerësojmë, siç themi në raportin e përpiluar, se ka raste kur izraelitët kanë vepruar jo në përputhje me detyrimet e tyre sipas të drejtës humanitare ndërkombëtare. Këto hetime vazhdojnë si nga ne, ashtu edhe nga Izraeli. Ne gjithashtu nuk kemi parë një plan për atë që ndodh një ditë pas përfundimit të kësaj lufte në Gaza. Shkuarja në Rafah, edhe për t’u marrë me këto batalione të mbetura të Hamas, veçanërisht në mungesë të një plani për civilët, rrezikon t’u bëjë dëm të tmerrshëm civilëve”, tha Antony Blinken, Sekretar Amerikan i Shtetit.
Rreth 300,000 njerëz janë larguar nga Rafah pas urdhrave të evakuimit nga Izraeli, i cili thotë se duhet të pushtojë për të çmontuar Hamasin dhe për të kthyer një sërë pengjesh të marra në sulmin e 7 tetorit. Operacioni në zgjerim i Rafahut ka tërhequr paralajmërime edhe nga Egjipti, Ministria e Jashtme e të cilit, tha se ka ndërmend të bashkohet zyrtarisht me rastin e Afrikës së Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë që pretendon se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza. Deklarata citonte “përkeqësimin e ashpërsisë dhe shtrirjen e sulmeve izraelite kundër civilëve palestinezë.” /Alsat.mk