Helikopteri që transportonte presidentin iranian Ebrahim Raisi kishte një “ulje të vështirë”
Helikopteri që transportonte presidentin iranian Ebrahim Raisi kishte një "ulje të vështirë"

Helikopteri që transportonte presidentin iranian Ebrahim Raisi kishte një “ulje të vështirë”, njoftoi televizioni shtetëror iranian, pa dhënë menjëherë detaje.
Raisi udhëtoi për në provincën iraniane të Azerbajxhanit Lindor. Televizioni shtetëror tha se incidenti ndodhi pranë Jolfës, një qytet në kufi me Azerbajxhanin, rreth 600 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit iranian Teheran, dhe shpëtimtarët u penguan nga erërat e forta dhe shiu.
Ende nuk ka një informacion zyrtar për gjendjen e Raisit.
Raisi ishte në Azerbajxhan herët në mëngjes të së dielës për hapjen e digës me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev.
Agjencia shtetërore e lajmeve iraniane IRNA raportoi se helikopteri “u rrëzua në zonën e përgjithshme të Varzeganit” në provincën e Azerbajxhanit Lindor dhe se përveç Raisit, në bord ndodheshin edhe disa zyrtarë të tjerë, përfshirë ministrin e Jashtëm Hossein Amir Abdollahian.
Moti i rëndë dhe mjegulla e dendur penguan përpjekjet e ekipeve të shpëtimit, tha televizioni shtetëror iranian.
Kërkimet vazhdojnë për helikopterin me të cilin po fluturonte presidenti iranian Raisi, raportoi IRNA
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve (IRNA) raportoi se një operacion i gjerë kërkimi dhe shpëtimi ishte duke u zhvilluar pasi helikopteri që transportonte presidentin iranian Ebrahim Raisi u detyrua të bënte një “ulje të vështirë” në rajonin malor të Iranit veriperëndimor.
Ngjarja ka ndodhur sot në pyllin Dizmar midis qyteteve Varzakan dhe Jholfa në provincën iraniane të Azerbajxhanit Lindor. Raisi po kthehej nga Azerbajxhani, ku mori pjesë në hapjen e një dige me Ilham Aliyev të Azerbajxhanit.
Një zyrtar iranian i paidentifikuar tha për mediat perëndimore se helikopteri me presidentin iranian Ebrahim Raisi dhe ministrin e Jashtëm Hossein Amirabdullahian u rrëzua ndërsa fluturonte mbi një zonë malore në provincën e Azerbajxhanit Lindor të Iranit.
Ai vuri në dukje se “jetat e Raisi dhe Amirabdolakhian” janë në rrezik pas rrëzimit të helikopterit.
“Ne jemi ende me shpresë, por informacioni që na vjen nga vendi i aksidentit është shumë shqetësues”, tha zyrtari iranian i paidentifikuar.
Siç raportoi IRNA, më shumë se njëzet ekipe të pajisura plotësisht të kërkimit dhe shpëtimit, duke përfshirë drone dhe qen snifer, janë dërguar në zonë. Forcat e armatosura të Iranit kanë vendosur komando dhe forca speciale për të ndihmuar në operacionin e kërkimit.
Për shkak të terrenit të thyer të rajonit dhe kushteve të rënda atmosferike, veçanërisht mjegullës së dendur në zonë, operacioni i kërkim-shpëtimit mund të marrë pak kohë.
Një zëdhënës i shërbimeve të urgjencës të Iranit tha se tetë ambulanca ishin dërguar në rajon.