Antikorrupsioni u ankua për gjendjen në 2023

Antikorrupsioni u ankua për gjendjen në 2023

Gazetare: Fatlume Dervishi

Organet shtetërore kompetente për zgjedhjen dhe emërimin e funksionarëve vazhdojnë të mos bashkëpunojnë me Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit, në përditësimin e të dhënave të personave të zgjedhur dhe të emëruar. Kjo praktikë, sipas kryetares së Komisionit për parandalimin e korrupsionit Tatjana Dimitrovska ka vazhduar gjatë gjithë vitit 2023 dhe ka ndikuar seriozisht në punën e Antikorrupsionit. Dimitrovska për këtë u ankua para deputetëve të përbërjes së re parlamentare gjatë prezantimit të raportit të Antikorrupsionit për vitin 2023. Përveç kësaj, zbatimi i strategjisë nacionale për luftë kundër korrupsionit për periudhën 2021-2025, sipas saj, është në nivel shumë të ulët, gjë për të cilin, tha ajo nevojiten mjete financiare dhe më shumë angazhim nga institucionet tjera. Duke folur për punën e Antikorrupsionit, Dimitrovska kujtoi analizën e Antikorrupsionit për rreziqet në gjyqësor.

“Në vitin e kaluar kemi realizuar vlerësim të rrezikut për korrupsion në gjyqësor për të cilin kemi prezantuar edhe raport në qershor të 2023 në të cilin janë identifikuar rreziqe serioze në sistemin gjyqësor. Analiza jep vlerësime të përgjithshme të rreziqeve të përditshme të korrupsionit që shpesh kalojnë si pa u vënë re nga kreatorët e politikave në gjykata dhe prokuroritë publike”, tha Tatjana Dimitrovska, kryetare e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit.

Antikorrupsionit arriti të mbushë 47 pozita në radhët e administratës së tij, në të cilin duhet të ketë të paktën 64. Mungesa e kuadrit dhe e buxhetit, vazhdojnë të pengojnë punën e tij.

“Rekomandimet për mjete shtesë për punësime të reja janë kyçe për përmirësimin e kushteve për luftë kundër korrupsionit. Nëse duam përmirësim të funksionimit të Antikorrupsionit janë të nevojshme më shumë mjete, si për investime kapitale ashtu edhe për shpenzime të zakonshme të KSHPK”, shtoi ajo.

Për vitin 2023, Antikorrupsioni ka dorëzuar 12 iniciativa në Prokurori për punën e funksionarëve. Një është hedhur si e pabazë, kurse të tjerat janë në shqyrtim. Zvarritja e tyre nga organet e drejtësisë është një problem tjetër për punën e këtij institucioni.

Deputetët e pushtetit dhe të opozitës nuk nguruan të drejtojnë përgjegjësinë te kundërshtari politik për gjendjen me korrupsionin në vend. Deklarativisht, të gjithë u pajtuan se duhet të bëhet më shumë.

“Në historinë e Antikorrupsionit për njëzet vjet në Prokurorinë Publike janë dorëzuar 165 iniciativa kurse vetëm tre kanë dalë para gjykatës. Kjo është e pabesueshme. Është e pamundur. Matematikisht është 1%, e pabesueshme”, tha Bojan Stojanovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

“Ne në vend kemi shumë institucione që merren me luftë kundër korrupsionit, Enti i revizionit, Prokuroria Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, inspektoratet, d.m.th. dhjetëra institucione dhe shohim se deri tani është bërë shumë pak. Ky raport lidhet me gjendjen e korrupsionit në një situatë tjetër politike, kur në pushtet ishte strukturë tjetër. Të shpresojmë se kjo do të ndryshojë”, u shpreh Bekim Qoku, deputet i VLEN.

“Ju fituat në këto zgjedhje dhe unë besoj se në të ardhmen do të bëni maksimum që korrupsioni të mos ekzistojë më. Vetëm se shpresoj që raporti nuk do të jetë më i mirë vetëm sepse dikush do të përpiqet që ta mbysë përsëri Komisionin kundër korrupsionit. Nëse e bëni këtë, ne do t’ua heqim kapelen por shpresoj që VMRO-ja nuk do të funksionojë ashtu siç funksionoi 11 vite, dhe korrupsionin vetëm ta fsheh nën tapet”, theksoi Sonja Mirakovska, deputete e LSDM-së dhe koalicionit.

“Vetingu është i patjetërsueshëm në luftën kundër korrupsionit. qëllimi kryesor është që Antikorrupsioni të jetë më i fortë se korrupsioni. Të dhënat tona thonë se duhet një luftë e pakompromistë ndaj korrupsionit, politizimit dhe krimit”, shtoi Halil Snopçe, deputet i VLEN.

Raporti në fjalë është për periudhën e Komisionit për parandalimit e korrupsionit nën përbërje tjetër. Antikorrupsioni në përbërjen e re që ka filluar punën nga shkurti i këtij viti premtoi transparencë dhe luftë pa kompromis gjatë mandatit të tij./Alsat.mk

 

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button