Nuk pritet ndryshim në raportin e BE-së për sundimin e ligjit

Nuk pritet ndryshim në raportin e BE-së për sundimin e ligjit

Gazetare: Fatlume Dervishi

Vendi nuk duhet të presë ndonjë ndryshim në raportin e BE-së për sundimin e ligjit, që për herë të parë jepet nga institucionet evropiane për Shkupin si vend kandidat. Raporti do të publikohet në fund të verës dhe do të jetë më pak voluminoz se ai i progresit. Ai do të theksojë vetëm zhvillimin ën drejtim të sundimit të ligjit.
Rreth raportit dhe rreth planit për rritje të BE-së u diskutua sot në Konferencën e organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane.

“Këto çështje sistematike sigurisht se do të theksohen. Vitin e kaluar ne nuk kishim progres në sundimin e ligjit. Ajo që pritet nga Ministria e Drejtësisë është që t’i adresojë çështjet e pavarësisë së gjyqësorit, funksionimit e Këshillit gjyqësor. Sigurisht se ky do të jetë raport më i vogël nga ai i progresit por është shumë i rëndësishëm sepse na vendos në të njëjtën linjë me vendet anëtare”, tha Simonida Kacarska, Instituti për Politikë Evropiane.

Përfaqësuesit e organizatave civile të rajonit që merren me eurointegrimet dhanë mesazhet e tyre për BE-në por edhe për institucionet nacionale. Nga Qendra për Politika Evropiane në Beograd kërkojnë përfshirje të patjetërsueshme e sektorit civil në monitorimin e agjendave reformuese, planin për rritje dhe sundimin e ligjit.

“Mendoj se nuk ja kemi nisur me këmbë të mbarë sepse në shumë shtete të rajonit agjenda e reformave nuk është konsultuar me sektorin civil parlamentet nacionale gjë që në fakt është një kërkesë eksplicite në rregullore. E dimë se disa vende në rajon si Shqipëria kanë nisur procesin e konsultimit por Serbia dhe Maqedonia nuk e kanë nisur akoma”, u shpreh Milena Mihajloviq, Qendra për Politika Evropiane, Beograd.

Për rajonin është e rëndësishme edhe kush do të jetë komisioner i ardhshëm për zgjerim i BE-së.

“Shpresoj se do të jetë një person me integritet, nga një vend që ka nivel të mirë të sundimit të ligjit. Parapëlqehet të mos jetë nga vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor sepse është shumë e rëndësishme të shmanget keqpërdorimi i kontesteve bilaterale në mandatin e ri të Komisionit”, theksoi Edo Kanliq, Transparency International, Bosnja dhe Hercegovina.

Sundimi i ligjit dhe të drejtat fundamentale janë ndër kapitujt e parë që hapen gjatë negociatave me BE-në dhe ndër më të rëndësishmit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button