Strugë, ndotje ekstreme gjatë muajve të dimrit
Strugë, ndotje ekstreme gjatë muajve të dimrit

Gazetar: Miki Trajkovski
Analizat njëvjeçare të kryera nga laboratori në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, pas marrjes së mostrave nga stacionet matëse të instaluara dhe analizave të grimcave PM 2.5, tregojnë se drutë për ngrohje gjatë dimrit dhe kaosi i trafikut gjatë verës janë burimet kryesore të ndotjes në Strugë.
“Kontributi më i madh për ndotjen në Strugë vjen nga trafiku, ndërsa në periudhën e dimrit vjen nga djegia e biomasës, gjegjësisht druve. Periudha e dimrit është më e ndotura ndërsa në periudhën e verës në muajt korrik dhe gusht dhe fillimi i shtatorit”, deklaroi Afrodita Zendelska – profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Teknike – Shtip.
Urbanizimi është gjithashtu kërcënim për cilësinë e ajrit.
“Është fenomen normal që duhet të zhvillohet, por duke marrë disa masa dhe duke monitoruar rregullisht cilësinë e ajrit mund të çojë në kontrollin e ndotjes së ajrit”, tha Marian Glavinçeski – koordinator i projektit Ajri i qytetarëve.
Struga ka në dispozicion 10 milionë denarë për të marrë masa për uljen e ndotjes, por këto para nuk mjaftojnë.
“Kjo shumë sigurisht që nuk mjafton, sigurisht që do të duhen një sërë masash të tjera, Struga është sistem kompleks, nuk bëhet fjalë vetëm për qytetin, ka edhe vendbanime periferike, ka edhe vendbanime të mëdha rurale, të cilat e kanë edhe këtë problem, me të cilin autoritetet e qytetit do të duhet të përballen në të ardhmen”, u shpreh Vladislav Zhupan-Komuna Strugë.
Në të kaluarën, deponia ilegale në hyrje të qytetit, si dhe disa gurore në afërsi të fshatit Labunishtë, janë theksuar si shkaktarë seriozë të ndotjes së ajrit në Strugë, por tani analizat nuk e kanë treguar këtë, sepse guroret nuk punojnë. /Alsat.mk