Ligjet për reforma në administratën publike ishin subjekt i debatit dhe kritikave në debatin publik në Kuvend
Ligjet për reforma në administratën publike ishin subjekt i debatit dhe kritikave në debatin publik në Kuvend

Gazetare: Fatlume Dervishi
Tre ligjet e reja që duhet të paraqesin reformë në administratën publike ishin subjekt i debatit publik në Kuvend, shkruan Alsat.
Ata parashikojnë ndryshim të mënyrës së punësimit, ngritjes në detyrë, sistematizimit, trajnimin e nëpunësve administrativ dhe definimin e pagave të tyre.
Por, asnjë plan për reforma, deri tani, nuk parashikon shkurtimin e administratës.
Profesori Borçe Davidkovski tha se një ndër reformat për të cilat ekspertët angazhohen me vite dhe që duhet të miratohet duke qenë se parashikohet në propozime, është Akademia për trajtimin e nëpunësve në administratë dhe bartësve të institucioneve. Ai pret kritika negative nga Komisioni Evropian për reformat që po zvarriten për disa vite.
“Të paktën 30 vite kërkojmë institucion të veçantë Akademi për trajnim të administratës publike dhe kjo ska ndodhur. Gjithashtu kur u miratua ligji për shërbim të lartë administrativ ne kërkuam diçka si ENA franceze, shkollë të lartë administrative e cila është veçanërisht për bartësit e pozitave të larta në shërbimet administrative. Është mirë të nisim prej diku dhe për shkurt kohë edhe ne të kemi një institucion si ENA e cila do të sjell zgjedhje të funksionarëve sipas sistemit të meritave, ose drejtues të njësive organizative në drejtoritë shtetërore dhe në administratën publike”, tha Borçe Davidkovski, profesor, ekspert i Administratës Publike.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë është e dëshpëruar që ministria nuk ka ofruar akoma metodologji të re për vërtetimin e rrogave në administratën publike. Ata kërkojnë që ajo të zbatohet nga marsi i vitit të ardhshëm dhe të parashikojë rritje sipas parimit të rrogës së deputetëve, kërkojnë kompenzimin e shpenzimeve të udhëtimit të të punësuarve dhe të mos kufizohet e drejta e grevës.
“Shqetësues është fakti që rrogat, sipas mënyrës së përlllogaritjes, madje janë ulur në raport me pagat aktuale të të punësuarve në sektorin publik, gjegjësisht për ata që pranojnë pagë sipas ligjit për nëpunës administrativ, në pjesën e pikëve. Jemi të shqetësuar sepse paga minimale si njëra nga komponentët që e ndërton rrogën e të punësuarve në sektorin publik është hequr, pa u futur metodologjia e re sipas marrëveshjes së përgjithshme kolektive për sektorin publik, gjegjësisht, edhe ne të punësuarit, më në fund, të marrim rrogë si ju deputetët, që është rrogë mesatare sipas koeficientit të ndërlikueshmërisë”, u shpreh Sllobodan Trendafillov, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Ministri i Administratës Publike Goran Minçev deklaroi se qëllimi është që ligjet të dorëzohen në Kuvend deri në fund të vitit, megjithatë draftet që janë para deputetëve dhe ekspertëve në këtë debat publik, janë të periudhës së ish ministrit Azir Aliu. Ai kërkon konzensus për reformat e nisura.
“Këto ligje nuk janë të pushtetit ose të opozitës, këto tre ligje i tejkalojnë ndasitë politike dhe duhet tu shërbejnë interesave të shtetit. Këto reformave bëhen që të krijojnë sistem të fortë nga i cili do të përfitojnë gjeneratat e ardhshme. Qëllimi është të krijohet administratë më efikase, transparente dhe më e përgjegjeshme, që u përgjigjet nevojave të qytetarëve sot dhe që është e gatshme të përballet me sfidat e të nesërmes”, theksoi Goran Minçev, ministër i Administratës Publike.
Procedura e debatit publik përfshin tre drafte, Ligji për nëpunës administrative, Ligji për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligji për përmirësim profesional dhe trajnim të nëpunësve administrative./ Alsat.mk