“Përfaqësimi i drejtë”, qëndrime të ndryshme mes partnerëve të koalicionit qeveritar
“Përfaqësimi i drejtë”, qëndrime të ndryshme mes partnerëve të koalicionit qeveritar

Gazetare: Fatlume Dervishi
Partnerët e koalicionit qeveritar japin qëndrime të ndryshme për zhvillimet rreth propozim-ligjit të ri për përfaqësim të drejtë. Ministri për Administratë Publike Goran Minçev deklaron se akoma s’ka parë asnjë draft të ligjit që ka përgatitur partneri i koalicionit VLEN. Sipas tij, zgjidhja eventuale mund të çojë në dy drejtime, një ligj komplet i ri ose inkorporim të dispozitave për përfaqësim të drejtë në propozim ligjet e reja për reforma në administratën publike. Minçev tha se akoma nuk është formuar grup pune dhe se nuk duhet të shpejtohet me një zgjidhje.
“Akoma nuk është formuar një grup i tillë i punës por unë jam i sigurt se në qeveri ka kapacitet dhe mundësi politike që të gjendet një zgjidhje serioze dhe cilësore. Nuk duhet të shpejtojmë, duhet të kemi durim sepse kemi pasur situatë kur nga 2001-shi deri më 2015-ën nuk ka pasur balancues por kategoria kushtetuese për përfaqësim të drejtë është zbatuar. Prandaj duhet të gjejmë një zgjidhje serioze që të mos vijmë përsëri në situatë që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë nene të caktuara nga zgjidhje eventuale ligjore”, tha Goran Minçev, ministër për Administratën Publike.
Por, VLEN thotë se një grup pune ekziston dhe pikërisht Minçev është anëtar. Sipas deputetit Halil Snopçe, drafti i ligjit ekziston por nuk përjashtohet mundësia që ai të ndryshojë, varësisht cila do të jetë zgjidhja më e mirë.
“Ka grup të punës. Unë nuk e kam dëgjuar deklaratën e ministrit por unë e di se ministri është anëtar i atij grupi të punës. Jo vetëm që ka grup të punës nga përfaqësues të VLEN-it, nga përfaqësues të VMRO-DPMNE-së dhe unë sa e di përfaqësues i ZNAM-it është pikërisht ministri Minçev, por ky grup punë veçmë edhe ka bërë dy takime deri më tash dhe është në fazën e hekurosjes së të gjitha qëndrimeve. Ne thamë që ka një draft version por ne nuk e përjashtojmë mundësinë që të ketë një version krejtësisht të ri i cili do ta zgjidhë këtë problem”, u shpreh Halil Snopçe, VLEN.
Që kur Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dispozitat ligjore dhe mekanizmin për përfaqësim të drejtë etnik në administratë, VLEN paralajmëroi ligj të ri, sipas tyre, më të mirë. Cilido që të jetë propozimi i pushtetit, fillimisht do të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias. Një propozim tjetër ligjor për përfaqësim të drejtë ka paralajmëruar edhe Fronti Evropian. /Alsat.mk