Vdekja e foshnjës 14-muajshe – Oda e Mjekëve s’ka ende vendim për kolegët e tyre!

Vdekja e foshnjës 14-muajshe – Oda e Mjekëve s’ka ende vendim për kolegët e tyre!

“Para dy javësh Oda e Mjekëve mori udhëzime nga Ministria e Shëndetësisë për masa konkrete në rastin e vdekjes së foshnjës 14 mujore Ryja Sulisi. Por, deri më sot nuk ka asnjë vendim konkret. Nga Oda e Mjekëve na thanë se tani rasti është duke u shqyrtuar nga Gjykata e Nderit, e cila është në kuadër të Odës së Mjekëve e cila duhet të përcaktojë nëse ka thyerje të kodeksit mjekësor”, raporton gazetarja e Alsat, Linda Ebibi.

Edhe sa kohë do të zgjasë procedura e shqyrtimit të raporteve të institucioneve kompetente lidhur me rastin e vdekjes së foshnjës mbetet e pa qartë.

“Pas marrjes së udhëzimeve për veprim nga Ministria e Shëndetësisë dhe konsultimeve të bëra në kuadër të Odës, u vendos që të mblidhen organet që janë pjesë e Gjykatës së Nderit, të cilat do të duhet të konstatojnë nëse në raportin e mbikëqyrjes mbi punën profesionale të Klinikës Universitare të Sëmundjeve të Fëmijëve dhe nga Klinika Universitare Kozle, për mjekim dhe trajtim të foshnjës R.S, ka elementë të shkeljes së Kodit Mjekësor”, thonë nga Oda e Mjekëve.

Dy javë më parë ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se është i vetëdijshëm se ka gabim profesional, por nuk mendon se duhet të dënohen apo largohen nga puna mjekët që kanë bërë lëshimin.

“Qëllimi jonë është ta vëmë në dukje se çdo mjek mund të bëjë lëshim profesional, dhe këtu është bërë lëshim profesional. Për këtë është e nevojshme të merren masa konkrete, unë nuk jam për dënimin dhe për largimin nga puna, megjithatë masa konkrete patjetër duhet të ndërmerren”, kishte thënë Taravari.

Foshnja 14 muajshe Ryja Sulisi ndërroi jetë një muaj më parë.

Nga kontrollet e kryera nga Inspektorati Shëndetësor Sanitar dhe Komisioni i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë për mbikëqyrje profesionale është vërtetuar se foshnja përskaj gjendjes së rënduar shëndetësore,  është endur për disa ditë nga klinika në klinikë dhe nuk është shtruar në spital, por është lëshuar për shërim shtëpiak. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button