Kumanovë, digjet makina e prokurorit Xhelal Bajrami dhe dyqani i Fitor Jakupit

Kumanovë, digjet makina e prokurorit Xhelal Bajrami dhe dyqani i Fitor Jakupit

Një seri e zjarr vënieve të qëllimshme janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Kumanovës. Një lokal afarist, disa makina dhe si pasojë edhe një pjesë e një shtëpie janë përfshirë nga zjarret që dyshohet se janë vënë qëllimisht. I është vënë flaka zyrës për kontabilitet dhe përkthime gjyqësore përball Gjykatës Themelore në Kumanovë. E njëjta si subjekt rezulton në emrin e Mentor Jakupit, vëllai i këshilltarit të BDI-së në Kuvendin Komunal të Kumanovës, Fitor Jakupi.

Disa metra më lart përball lokalitetit Garnizon i është vë flaka makinës së prokurorit të lartë, Xhelal Bajrami. Në fotografitë që ka siguruar Alsat nga vendi i ngjarjes dyshohet se zjarri i është vënë makinës përmes disa shisheve që nuk përjashtohet mundësia që të jenë koktej molotovi. Makina e Bajramit është djegur në oborrin e shtëpisë.  Ky i fundit në një prononcim për mediat ka deklaruar se nuk dyshon në dikë dhe se kohës së fundit nuk ka pasur kërcënime që mund të çojnë në pista dyshimi për djegien e makinës.
Makina ka tentuar t’i digjet edhe një koloneli me inicialet E.D, por që është përfshirë vetëm pak nga flaka dhe pa pasoja. Flaka i është vënë edhe një makine të llojit audi e cila ka rezultuar në pronësi të Mentor Shahinit. Policia ka informuar se tri makinat dhe objekti në pronësi të Mentor Jakupit janë djegur në interval kohorë brenda 30 minutave.

“Zjarret janë fikur nga zjarrfikësit e Kumanovës të cilët kanë ndërhyrë në kohë. Nuk ka persona të lënduar. Hetimi është bërë nga policia e Kumanovës ku është përfshirë edhe prokurori përkatës. Po punohet për zbardhjen e rastit. Të gjitha zjarret kanë ndodhur nga pra 03:20 deri në ora 03:50”, tha Ivana Mlladenovska, Zëdhënëse e SPB-së në Kumanovë.

Jo zyrtarisht mësohet se në asnjë prej vendeve ku është vënë zjarri nuk kanë punuar kamerat e sigurisë, pikërisht në momentet e zjarrvënies. Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që të dyshuarit të kenë përdorur bllokues të kamerave, përkatësisht bllokues të internetit që ndërpret filmimet në kamerat e sigurisë. Këtë e tha edhe zëvendësministri i Brendshëm, Astrit Iseni në reagimin e tij në rrjetet sociale.

“Personat që kanë vënë zjarrin dyshohet se kanë përdorur pajisje për bllokimin e kamerave. Informojmë se institucionet përkatëse dhe përfaqësues të MPB-së kanë inspektuar vendin ku ka ndodhur rasti dhe se gjatë ditës do të dalim me detaje të reja”, tha Astrit Iseni, Zëvendësministër i Brendshëm.

Njeriu i dytë i policisë në versionin e tij të parë dha indikacione se “ngjarjet e mbrëmshme të Kumanovës përkojnë me qërim hesapesh nga e kaluara nga grupe të caktuara kriminele”. Por më pas Iseni këtë pjesë e hoqi nga statusi i tij në Facebook. Të njëjtën nuk e potencoi as gjatë vizitës në Sektorin për Punë të Brendshme që e realizoi gjatë ditës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button