Klinika e Fëmijëve sërish në shënjestër të Inspektoratit Shëndetësor, kontrolli i jashtëzakonshëm vjen pas vdekjes së foshnjës 7 muajshe
Klinika e Fëmijëve sërish në shënjestër të Inspektoratit Shëndetësor, kontrolli i jashtëzakonshëm vjen pas vdekjes së foshnjës 7 muajshe

Gzetare: Linda Ebibi
Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor është duke kryer inspektim të jashtëzakonshme pas vdekjes së foshnjës shtatë muajshe në Klinikën e Fëmijëve. Foshnja ishte dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore, me organe të dëmtuara në Klinikën e Fëmijëve ku dhe ka ndërruar jetë. Nga inspektorati thonë se rezultatet e kontrollit do të bëhen të ditura nesër.
“Kam lëshuar urdhër për inspektim të jashtëzakonshëm në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve me dijeninë e foshnjës së vdekur shtatë muajsh, e cila sipas drejtorit aktual është sjellë me dëmtime të rënda të disa organeve. Pas konstatimit të gjendjes faktike, në repartin e pranimit, në repartin e ofrimit të kujdesit shëndetësor, si dhe evidentimin, ne gjatë ditës së nesërme do të dalim me të dhëna konkrete”, deklaroi Kirill Llazov, drejtor i Inspektoratit Shëndetësor.
Prindërit ditë më parë thanë se foshnja u refuzua të shtrohej në spital edhe përkundër gjendjes jo të mirë, ndërsa u pranua vetëm pas 48 orëve kur gjendja u vështirësua tej-mase. Ministria e Shëndetësisë theksoi se foshnja ka ndërruar jetë si pasojë e sindromit serioz i cili ka përfshirë më shumë organe. Trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion. Ndërkohë drejtori i Inspektoratit Llazov tha se kontrolle të jashtëzakonshme po kryhen edhe në klinika tjera të kompleksit “Nënë Tereza”. Ndërkohë sa i përket një sërë vërejtjeve paraprake për Klinikën e Fëmijëve të kryera një muaj më parë drejtori i Inspektoratit tha se janë respektuar pjesërisht.
“Pas masave të urdhëruara kemi kryer inspektime, ku kemi vërtetuar se është vepruar pjesërisht në pjesën e organizimit, ashtu edhe në pjesën e licencave të përkohshme dhe faksimile për specializantëve.
Është lëshuar urdhër për kundërvajtje me pagesë, afatet po rrjedhin, në periudhën që pason ne përsëri do të bëjmë inspektime të jashtëzakonshme, jo vetëm në Klinikën e Fëmijëve, por për momentin po kryhen inspektime edhe në klinikat tjera të Nënë Terezës”, tha Kirill Llazov, drejtor i Inspektoratit Shëndetësor.
Inspektorati më herët i kishte shqiptuar gjobë Klinikës për sëmundje të fëmijëve pas konstatimit të mangësive, ku nga gjithsej 14 praktikantë të mjekësisë që i plotësojnë kushtet për marrjen e licencës së përkohshme nga Oda e Mjekëve dhe faksimile për punë të përkohshme, vetëm dy janë pajisur me leje të përkohshme pune dhe nuk është dorëzuar asnjë kërkesë te Ministri i Shëndetësisë. Në ndërrimin e natës, në ambulancën kujdestare punojnë mjekë specializantë pa faksimile të përkohshëm për punë dhe mjekë që nuk i plotësojnë kushtin specializant më i moshuar. Në raport gjithashtu thuhej se në Klinikë, nga 45 mjekë specializantë, kujdestarojnë vetëm nga tre, prej të cilëve asnjëri në ambulancën e Klinikës, ndërsa në ambulancën e Klinikës dhe ekzaminimet në ambulancë kryhen nga specializantë, të cilët lëshojnë dokumentacion mjekësor në emër të mjekëve specialistë kujdestar, e ndonjëherë edhe dokumentacion pa nënshkrim dhe vulë. /Alsat.mk