“Pyetje deputetësh”, ligji i gjuhëve dhe balancuesi ndër temat kryesore
“Pyetje deputetësh”, ligji i gjuhëve dhe balancuesi ndër temat kryesore

Gazetare: Fatlume Dervishi
Temat ndëretnike ishin përsëri kryesoret në seancën për pyetjet e deputetëve në Kuvend. Fronti Evropian kërkoi nga VMRO-DPMNE-ja përgjigje a do ta tërheqë iniciativën e saj në Gjykatën Kushtetuese ndaj ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe sqarim nga kryeministri për qëndrimet e tij rreth ligjit. Mickoski përsëri se qëllimi i BDI-së është polarizimi për t’u mbrojtur nga përgjegjësia për korrupsionin.
“A keni vullnet, gatishmëri që ta tërhiqni këtë iniciativë ku kontestoni ligjin për përdorimin e gjuhëve në respekt ndaj të gjithë shqiptarëve pasi që të jeni të bindur se përveç të 10-15 vetave që i keni rahatu nëpër kolltuqet e kabinetit qeveritar, nuk ka shqiptar që pajtohet me abrogim të ndonjë presje, jo të ndonjë neni?”, deklaroi Blerim Bexheti, Fronti Evropian.
“Unë u kuptoj se këtë do ta bëni edhe në të ardhmen, do të polarizoni, të vendosni në foltore tema monoetnike, do të përpiqeni të krijoni konflikt etnik duke krijuar tension me më të mëdhenjtë, me koalicionin “Maqedonia jote”. Unë e kuptoj se kështu doni të funksiononi por nuk do të keni sukses. Kjo është këshilla ime. Fokusohuni për të arritur diçka për qytetarët. Kjo nuk është temë që qytetarët i shqetëson. Ju ka ardhur te hunda, më besoni. Ata e dinë se janë të manipuluar, sepse kur vinë në qendër të Shkupit dhe e shohin qendrën tregtare Soravija, menjëherë e kuptojnë se çfarë qëndron pas kësaj retorike”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Fronti Evropian gjithashtu kërkoi të dijë deri ku është procedura për ligjin e ri për përfaqësim të drejtë në institucione.
“Pasi që në programin parazgjedhor të partnerit tuaj më të madh të koalicionit ka qenë heqja e balancuesit dhe u realizua nëpërmjet gjykatës kushtetuese, cili është qëndrimi juaj? Kolegët tuaj të po të njëjtit kabinet qeveritar kanë deklaruar se më së voni deri në fund të vitit. Tani a tallet dikush nga ministrat me opinionin shqiptar?”, u shpreh Blerim Bexheti, Fronti Evropian.
“Agron, është emër i bukur maqedonas, Fatmir, është emër i mirë maqedonas, Ismet është emër i mirë maqedonas, Angele, është emër i mirë shqiptar, Stojan është emër i mirë turk, Zoran, është emër i mirë boshnjak? Këto janë fakte eklatante të keqpërdorimit të mekanizmit të balancuesit. Gjithashtu ishte keqpërdorur edhe përqindja që ishte në kuadër të këtij mekanizmi. Në konferencën dramatike që e mbante para Kushtetueses Arbër Ademi, pas tij qëndronte Kreshnik Bekteshi i cili ka mbështetur heqjen e balancuesit”, theksoi Goran Minçev, ministër i Administratës.
Minçev tha se ligji i ri të bëhet nga ekspertë dhe jo përfaqësues të partive politike. Ai përsëri që ligji fillimisht do të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias. /Alsat.mk