Ali Ahmeti thotë se Artan Grubi nuk është në arrati, pasi është në trojet shqiptare
Ali Ahmeti thotë se Artan Grubi nuk është në arrati, pasi është në trojet shqiptare

Gazetare: Ajnur Bafqari
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti thotë se Artan Grubi nuk është në arrati, pasi është në trojet shqiptare, duke i dhënë konotacion entik arratisë së numrit dy të deridjeshëm të partisë. Në një deklaratë nga Prishtina, Ali Ahmeti, foli në emër të Grubit, duke thënë se ai është i gatshëm të përgjigjet, por jo me drejtësi selektive.
“Zotëri Grubi, sipas informatave që i kam, nuk e kam takuar, është mirë. Vendndodhja e tij akoma është, sigurisht që është dikund në hapësirat shqiptare. Është një proces që duhet të marrë epilog. Artan Grubi nuk është arratis nga Maqedonia, Artan Grubi është i gatshëm të përgjigjet para organeve të drejtësisë, të respektojë ligjet, por jo me drejtësi hakmarrëse e selektive”, deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Ahmeti thotë se prej përvojës së qeverisjes 22 vjeçare me vendin, e di se sistemi në Maqedoninë e Veriut punon në mënyrë hakmarrëse dhe selektive. Ai me ironizim ndaj VMRO-së, i faturoi kësaj partie gjuetinë ndaj Grubit, njësoj sikurse vetë VMRO e përjetoi vite më parë.
“Ne kemi shumë përvojë, ne kemi qeverisë me atë vend 22 vite me radhë dhe e dimë se si funksionon sistemi. Prandaj aq më shumë e dinë pala e VMRO-së se sot është dhe drejton Qeverinë se si ligjet janë përdor, jo shumë larg para 5-6 vitesh kundër atyre. Kështu që ne jemi kundër drejtësisë selektive, jemi kundër përdorjes së fyerjeve dhe shpifjeve për qëllime të politikave ditore”, shtoi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Ndërkohë që Ahmeti kërkon që drejtësia ndaj bashkëpunëtorit të tij të mos jetë selektive dhe hakmarrëse, pikërisht Grubi u bë pjesë e listës së zezë Amerikane, për ndërhyrje në gjyqësor dhe korrupsion, teksa përpiqej ta shpëtonte Sasho Mijallkovin nga burgu.
Ahmeti iu kthye edhe tezës së vjetër që partia e tij nuk e bëri asnjëherë, atë të vetingut. Ai kërkoi hetim për periudhën e privatizimit dhe oligarkëve të asaj kohe, ndërkohë që sërish tha se BDI-ja do të punojë edhe me ndërkombëtarët. /Alsat.mk