Prokuroria Publike nuk do të kërkojë përshkallëzimin e masave të kujdesit kundër Merkos
Prokuroria Publike nuk do të kërkojë përshkallëzimin e masave të kujdesit kundër Merkos

Gazetar: Miki Trajkovski
Prokuroria Publike nuk planifikon përshkallëzimin e masave të kujdesit kundër kryetarit të Strugës, Ramiz Merko të cilit në cilësinë e të pandehurit i është konfiskuar pasaporta dhe është detyruar me paraqitje, shkruan Alsat.
Ai akuzohet për të paktën 9 vepra penale, por rezulton i pandehuri i vetëm i cili me gjithë këto akuza nuk ndodhet në paraburgim.
“Prokuroria Themelore Publike e Strugës propozon masa sigurie në bazë të plotësimit të kritereve ligjore në secilin rast individualisht. Në rastin konkret, deri në këtë pikë, masat e propozuara dhe të përcaktuara kanë për qëllim sigurimin e pranisë së të akuzuarit gjatë procedurës. Nëse plotësimi i bazave ligjore, apo rreziqet ndryshojnë, Prokuroria Publike ka mundësi të kërkojë nga gjykata masa më të rrepta sigurie gjatë procedurës”, thonw nga Prokuroria Themelore Publike, Strugë.
Krahas rrezikut se Merko mund të ndikon në prova, dëshmitarë dhe të cenon hetimit, organi i akuzës është mjaftuar vetëm me konfiskim pasaporte.
Përveç emërimeve të paligjshme të drejtorëve në disa shkolla fillore, Prokuroria e krimit të organizuar akuzon Merkon edhe për shpërdorim të detyrës për blerjen e katër veturave me vlerë rreth 114 mijë euro, mes të cilave një Audi A6 luksoze gjatë periudhës kur komuna kishte llogari të bllokuar. Për këtë lëndë gjykimi ka nisur nga fillimi.
Në korrik të vitit 2024, Merko ishte akuzuar për vepra penale si i dyshuar i tretë në rastin e ndërtimit pa leje në një hotel në Strugë.
Sipas aktakuzës, në maj të vitit 2019, pronari i një kompani ka paraqitur kërkesë për rindërtimin e pishinës së hotelit, por ka marrë leje prej tij për të ndërtuar objekt të tërë, duke vepruar jashtë kërkesës për rindërtim dhe në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në Ligjin e Ndërtimit, me qëllim të përfitimit material për person ose palë tjetër./ Alsat.mk