Zaev refuzoi kërkesën e Mickoskit për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Zaev i tha “jo” Mickoskit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kryeministri beson se praktika e zgjedhjeve të parakohshme përfundimisht duhet të ndërpritet, pasi, siç thotë ai, po e pengon ekonominë e përgjithshme të Maqedonisë, ndërsa zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në mandatin e rregullt, respektivisht në vitin 2024.
Vendi ka drejtim të qartë kah i cili po lëviz, evropianizimi vazhdon, të gjitha vendimet e vështira që janë marrë në të kaluarën ishin për shkak të standardit ekonomik, për të krijuar vende të reja pune, për të motivuar investitorët për investime të reja, për të krijuar vende pune, për të rritur eksportet e tyre, prodhimin e brendshëm bruto të shtetit, dhe kështu mirëqenien e popullit tonë. Çdo zhvillim i parakohshëm i zgjedhjeve do të thotë ndalim i proceseve të tilla. Prandaj, zgjedhjet e rregullta janë në vitin 2024 dhe ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë – u shpreh Zoran Zaev – Kryeministër.
Përgjigja e Zaevit vjen pas kërkesës së liderit të VMRO -DPMNE, Hristijan Mickoski për zgjedhje të dyfishta, përkatësisht së bashku me zgjedhjet lokale në tetor të mbahen paralelisht edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen sa më shpejtë, sepse kjo shumicë qeveritare e paqëndrueshme, e vogël, e brishtë ka treguar se Maqedonia është regjim hibrid, se është mbërthyer në korrupsion dhe është në vendin e 111-të. Sipas të gjitha shkallëve tjera të matjes, nga numri i investitorëve të huaj, nga rënia ekonomike, nga pothuajse çdo aspekt, jemi prapa ose jemi të fundit në rajon -tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO DPMNE.
Lidhur me shumicën në Parlament, pushteti pretendon se ajo është e qëndrueshme, ndërsa nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja pretendon se po negocion me deputetët e partive të tjera për shumicë të re parlamentare.
Alsat