Nesër votohet për zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Nesër votohet për zgjedhjet parlamentare në Kosovë

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe formimi i qeverisë së nuk pritet të ndikojë thelbësisht ndaj zhvillimeve politike në Maqedoninë e Veriut dhe ndaj raporteve mes të dy vendeve fqinje. Analisti Xhelal Zejneli u shpreh se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar kapacitet bashkëpunues të lidershipit dhe ky trend duhet të vazhdojë. Zejneli duke komentuar rrjedhën e fushatës parazgjedhore të Kosovës tha se institucionet shtetërore të Kosovës kanë demonstruar vullnet dhe gatishmëri për të organizuar zgjedhje të qeta dhe demokratike.

“Në vendin tonë nuk do ketë asnjë lloj ndikimi, se kjo ka të bëj me raportet e shkëlqyera mes dy shteteve, Kosova kalon përmes Maqedonisë dhe del në Evropë. Maqedonia është eksportuese ndër të parat në Kosovë. Mallrat e Maqedonisë shiten në Kosovë dhe kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Qeveria e Albinit nuk ka punuar në lidhje partiake por me Shtetin, pra VLEN-in, dhe ai ka ndjekur politikën e fqinjësisë së mirë, stabilizuese si ndaj Maqedonisë edhe të rajonit në përgjithësi”, tha Xhelal Zejneli, analist politik.

Profesori Murat Aliu u shpreh se çdo opsion tjetër përveç Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet në mënyrë jo të drejtpërdrejt e ndihmon Serbinë dhe Vuçiqin në realizimin e planit shumëvjeçar për ndarjen e Kosovës përkatësisht krijimin e një lloj autonomie të serbëve në veri të Kosovës.

“Nëse e shihni gjithë fushatën, 25 vite që kur u lirua Kosova, por veçmas katër vitet e fundit të Albin Kurtit e gjithë çështja sillet rreth veriut të Kosovës. E gjithë çështja pra sillet rreth kësaj, andaj them se Kosovës të paktën edhe katër vite i duhet Albin Kurti për tu bë ballë rezistencë Serbisë karshi Kosovës”, u shpreh Murat Aliu, profesor .

Akuzat kryesore të opozitës në Kosovë ndaj Kurtit ishin të orientuara sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në, sidomos pas deklarimit të fundit të Grenellit. Sipas analistëve Zejneli e Aliu, deklaratat madje kanë ndikuar pozitivisht ndaj rejtingut të Vetëvendosjes.

“Shpesh edhe ndërmjet miqve e partnerëve strategjik ndodhin mospajtime apo mos marrëveshje por kjo nuk do të thotë se po prishet marrëdhëniet me SHBA-të. Në të kaluarën pati disa përplasje me administratën e zotit Bajden por kjo nuk nënkupton që Albin Kurti është anti amerikan apo e prish marrëdhënien me aleatët ndërkombëtar”, theksoi Murat Aliu, profesor .

“Ka që thonë se ky qëndrim i Grenellit ka ndihmuar Kurtin i cili pa fije dyshimi do del forca e parë fituese deri në 50 për qind. Albinin e fajësojnë, ismail Qemalin e kohës sonë vetëm pse nuk i dha territor Beogradit për vetëm tre apo katër për qind serb në Kosovë”, tha Xhelal Zejneli, analist politik.

Lufta më e ashpër në zgjedhjet në Kosovë, sipas anketave të fundit, do të jetë ajo mes Vetëvendosjes, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button