Bojkoti uli blerjen në markete për 22 %

Bojkoti uli blerjen në markete për 22 %

Gazetare: Linda Ebibi

Bojkoti i një dite më parë ka ulur shitjen në marke për 22.12 për qind. Nisma nëpër rrjetet sociale e mbështetur edhe nga qytetarët ishte më pak efikase krahasuar me javën e kaluar kur qarkullimi total kishte rënie prej 46.59 për qind.

“Të enjten deri në mesnatë, në sistem është regjistruar qarkullim total prej mbi 232 milionë denarë dhe janë lëshuar mbi 417 mijë kuponë fiskal. Të premten, deri në mesnatë në sistem është regjistruar qarkullim total prej mbi 181 milionë denarë dhe janë lëshuar mbi 346 mijë kuponë fiskalë. Në këtë periudhë të analizuar, tetë rrjetet më të mëdha të marketeve shënuan një rënie të qarkullimit prej 22.12 për qind”, thonë nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.

Qytetarët kërkojnë që të vazhdohet me bojkotimin e marketeve, pasi siç thonë tregtarët nuk po mbushen mend.

“Mendoj se çmimet kanë shkuar shumë lartë, po, duhet të ulen çmimet. Standardi i qytetarëve nuk është aq i lartë me kaq çmime të larta. Ky është mendimi im”, tha një qytetare.

“Po i kemi bojkotuar. A duhet të vazhdohet me bojkotimin e marketeve? Me i vazhduar jo me i ndalë…Çmimet.. ja 1000 denarë, shumë. Allahu na i dhashtë hajrin. Çmimet janë në hava, më lirë janë në Gjermani, pensionet askund, 12 mijë denarë pension kam, kemi punuar 20 vite”, tha një qytetar.

“Po i kam bojkotuar. Pse? Pasi janë të shtrenjta… Duhet të vazhdohet pasi tregtarëve nuk po i vijnë mend. Ata mendojnë që sot ti ulin, a të nesërmen i rrisin për tre herë çmimet”, u shpreh një tjetër qytetar.

“A i keni bojkotuar dje marketet? Po. Çfarë mendoni për çmimet? Shumë të larta janë, çfarë të thuash kjo është, mendoj se disa punë janë tepruar”, tha një qytetare.

Kjo është hera e dytë që bojkotohen marketet për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Ideja për bojkotimin e marketeve nisi nga Kroacia, e cila rezultoi me efekt të lartë. Sot atje nis bojkotimi shtatë ditor i marketeve, me qëllim që të dërgohet porosia për uljen e çmimeve./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button