Zgjedhjet në Shqipëri, partitë dorëzojnë listat për deputetë / Emra të rinj në lista, “yjet” janë jashtë
Zgjedhjet në Shqipëri, partitë dorëzojnë listat për deputetë / Emra të rinj në lista, “yjet” janë jashtë

Gazetare: Xhesika Sallahi
Publikimi i listave të kandidatëve për deputetë për garën në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri ka ngjallur polemika të shumta në partitë politike. Në listën e mbyllur, Partia Demokratike ka propozuar edhe kandidatë nga partitë aleate, Partia e Lirisë, PDIU, Partia Republikane, duke lënë mënjanë figura në zë të partisë, siç është edhe deputeti Dashnor Sulo, deputet i cili ka marrë pjesë masivisht në tensionet e krijuara vazhdimisht nga opozita në Kuvend. Megjithatë, kreu i PD-së, Sali Berisha, duke vlerësuar listën e tij, ironizoi listën e Partisë Socialiste duke e quajtur lista e mbyllur, lista e mafies.
“Një mungesë totale respekti ndaj qytetarëve dhe zgjedhësve shqiptarë. Le të përpiqet sa të dojë. Edi Rama me asgjë nuk mund të mbulojë, nuk mund të mbulojë, problematikat e tmerrshme të listës që u paraqiti shqiptarëve”, deklaroi Sali Berisha, Kryetar i Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër, Edi Rama foli për listën e PS-së, duke shtuar se në listën e hapur janë ata që kanë mundësitë dhe votat të futen në Parlament. Ai thotë se Partia Socialiste ka një strategji të kundërt nga Partia Demokratike, duke ironizuar këta të fundit se skuadra në listën e mbyllur të kryeqytetit është tribuna VIP e kënetës.
“Unë po ju them deputetëve të mi, doni s’doni partia do të hapet. Se PS-ja e 2030 nuk mund të jetë kënetë. Uji i ndenjur bëhet kënetë. Shqipërinë e 2030 nuk mund ta ndërtojmë, nëse nuk kemi një Parti Socialiste që është gjithmonë e më shumë e të gjithëve”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Sali Berisha i Partisë Demokratike dhe Edi Rama i Partisë Socialiste do të përballen në Tiranë në sfidën për të fituar zgjedhjet parlamentare. Krye socialisti kërkon mandatin e katërt, siç thotë ai për të arritur integrimin, ndërsa PD sfidon duke akuzuar për qeverisje të korruptuar duke premtuar rritje pagash dhe ulje taksash. / Alsat.mk