Arresti shtëpiak për Jahoskin/ Këndellet Prokuroria pas presionit publik dy ditor – Kërkon hapjen dhe shqyrtimin e fakteve
Arresti shtëpiak për Jahoskin/ Këndellet Prokuroria pas presionit publik dy ditor – Kërkon hapjen dhe shqyrtimin e fakteve

Pas pingpongut mes Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Gjykatës, se kush e la në arrest shtëpiak Asmir Jahoskin, nga grupi i përfshirë në skemën për furnizim me mazut toksik për TEC-in e Negotinës, Prokuroria sot kërkon shqyrtim të fakteve, shkruan Alsat.
Një ditë më parë, Gjykata thoshte se për masën arrest shtëpiak ishte pajtuar vetë Prokuroria. Ndërsa sot, pas presionit publik për këtë veçim të Jahoskit nga masa e paraburgimit sikurse 3 të tjerë, organi i akuzës pranoi të hapen provat që çuan në këtë masë, nëse është lëshim i tij apo i gjykatës.
“Prokuroria ka dorëzuar ankesë për shkak të shkeljes thelbësore të dispozitave nga procedura penale dhe kërkoi nga Këshilli Penal të rishqyrtojë faktet e përfshira në ankesë, por edhe faktet vendimtare në bazë të të cilave u miratua vendimi për masën e arrestit shtëpiak”, thonë nga Prokuroria.
Në të njëjtën linjë sikurse dje, Kryeministri Mickoski lëshoi sërish lum akuzash ndaj kreut të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazit, duke përdorur edhe tone më të personalizuara ndaj tij.
“Veçanërisht, do të theksoja sjelljen e një prokurori para disa ditësh i cili zgjodhi që, në vend që të jetë mbrojtës i sundimit të ligjit dhe të së drejtës, të jetë shërbëtor dhe hyzmeqar i një partie e cila ishte për vite të gjata në pushtet, dhe pjesë e koalicionit në qeverinë paraprake”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Dje edhe sot përmendët prokuror, sjellja e të cilit ju ka tronditur. A mund të zbuloni se për kë bëhet fjalë dhe a e keni paraqitur në institucionet përkatëse që të ngrihet procedurë.
“Jam i sigurt se ju gazetarët e dini saktë se për kë emër bëhet fjalë. Dhe pres që ajo të jetë në titujt e lajmeve tuaja…. I atij, të cilit i qëndronin në prehër, në një fotografi”, u shpreh tutje Hristijan Mickoski, kryeministër.
Nga ana tjetër, ndërsa Asmir Jahoski veçse është në arrest shtëpiak prej dje, Gjykata Penale tha se Këshilli pritet të vendosë brenda 3 ditëve të ardhshme.
Sipas qëndrimit të djeshëm gjithsesi, gjykata tha se ishin marrë parasysh faktet se Jahoski ishte kujdestar i 4 fëmijëve, ka të formuara lidhje të forma me shtetin, si dhe kompani me shumë punëtorë.
Gjithashtu, gjendja e tij shëndetësore ishte e keqësuar, të cilën e arsyetonte me dokumentacion përkatës./ Alsat.mk