Policia e Kosovës zbulon arsenal armësh në veri, në zonën ku u gjetën eshtrat e 23 personave
Një arsenal armësh, municionesh, e uniformash ushtarake u gjet në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, aty “ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive” dhe ku autoritetet kanë konfirmuar se kanë identifikuar mbetjet kockore të të paktën 23 personave. Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla tha se tani armët do t’i nënshtrohen analizave për të kuptuar nëse të njëjtat janë përdorur për vrasjen e 23 personave që u gjetën në varrezat masive në veri apo edhe në raste të tjera.
“Veriu i vendit tonë përveçse ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve shqiptarë, maltretimeve e dëbimeve, është shfrytëzuar edhe për fshehjen e trupave të viktimave pas vrasjeve makabre të kryera nga forcat serbe. Zbulimi i këtyre varrezave masive kanë nxjerrë në pah edhe një herë dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë”, deklaroi Xhelal Sveçla, Ministër i Brendshëm i Kosovës.
Ai tha se Institucionet do të vazhdojnë me zbardhjen e rrethanave, me identifikimin e përgjegjësve dhe “mbi të gjitha me përpjekjet për të sjellë drejtësi për çdo të vrarë, të masakruar apo të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, po ashtu tha se ka dyshime që armët të jenë përdorur për të vrarë anëtarët e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.
“Këto janë dyshimet tona që pjesë të këtyre armëve që janë të ekspozuara mund të kenë qenë të përfshira në rastin e vrasjes masive, te rasti i grupit të intelektualëve, por këto mbeten që të verifikohen pas ekzaminimeve që do të bëhen në laboratorët e Kosovës, por edhe nëse ka nevojë, dërgohen edhe jashtë. Mbetet një informacion që duhet të verifikohet”, theksoi Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.
Ky grup, i njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës” është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera. Policia e Kosovës dha edhe detaje për gërmimet e kryera në tri lokacione në Zubin Potok. Në lokacionin e parë, sipas tij, janë gjetur mbetjet mortore të 13 personave, në të dytin katër dhe në lokacionin e tretë gjashtë mbetje mortore. Një ditë më parë, Prokuroria Speciale njoftoi se mbetjet mortore do t’i nënshtrohen procedurave të identifikimit.
Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik dhe janë zhvilluar në Kalludër të Vogël, Jabukë dhe në një lokacion tjetër në këtë komunë, në veri të Kosovës. Gërmimet nisën pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte. Lidhur me dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile, pas nisjes së gërmimeve në veri, janë arrestuar tre persona të dyshuar. Që të tre gjenden në paraburgim./Alsat.mk.







