Revizioni: Konvikti studentor “Pellagonia” ka paguar një bukë 126 denarë
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Një bukë është paguar 126 denarë. Janë blerë dyshekë me dimensione të gabuara. Dy drejtorë kanë marrë paga përnjëherë. Pajisje të paregjistruara. Harxhime private me para publike. Të gjitha këto janë konstatuar nga Enti Shtetëror për Revizion për punën e Konviktit Studentor “Pellagonia” për vitin 2024. Auditorët kanë konstatuar lëshime të shumta financiare dhe administrative. Lëshime janë konstatuar gjatë kontrollit te prokurimet publike, kontrollimin e shpenzimeve, pagesat, mirëmbajtjen dhe përdorimin e mjeteve publike.
Konvikti Studentor “Pellagonia” ka blerë 250 dyshekë të rinj edhe pse dyshekët paraprak kishin qenë në gjendje të mirë dhe të shfrytëzueshme. Por, skandaloze është ajo që janë gabuar dimensionet e dyshekëve dhe janë blerë më të mëdhenj se sa krevatet. Kështu, këto dyshekë asnjëherë nuk janë vendosur në përdorim.
“Janë blerë 250 dyshekë me vlerë totale prej 1,17 milion denarë (nga 500 dyshekë të parapra) me dimensione të ndryshme nga specifikimet, pa dokumentacion të përshtatshëm për pranim dhe të njëjtat janë vendosur në konviktin studentor dhe fare nuk janë vënë në përdorim. Gjithashtu vërtetuam se edhe më herët ishin blerë 450 dyshekë të tjerë nga i njëjti furnizues, edhe pse ekzistueset kanë qenë në gjendje të mirë, e për çka dimensionet e krevateve kanë qenë më të vogla se sa dyshekët, e kështu janë prishur stabiliteti dhe statika e krevateve”, thuhet në raportin e ESHR.
Keqpërdorime të mëdha janë konstatuar edhe te furnizimi i bukës. Në vitin 2023, “Pellagonia” është furnizuar me miell dhe bukë nga një ofertues i cili nuk është marrë në realitet me këtë lëmi dhe nuk i është kërkuar garanci për cilësi. Edhe pse në vitin 2023 çmimi i një kilogrami bukë ka qenë 57,5 denarë, operatori ka faturuar një bukë gjysmë kilogram me çmimin e një kilogrami. Keqpërdorimet te buka kanë vazhduar edhe vitet tjera posaçërisht në vitin 2025 kur një kg bukë ka arritur në 126 denarë.
“Revizioni ka konstatuar se edhe me marrëveshjen e re në vitin 2025, çmimi i bukës është paguar 126den/kg, që është mbi çmimin e tregut prej rreth 70den/kg, që tregon për përdorim jo ekonomik të mjeteve publike dhe dobësi në kontrollimin e furnizimeve publike”, thuhet në raportin e Revizionit.
Revizioni mes të tjerash ka konstatuar lëshime të shumta dhe shpenzime të panevojshme edhe në mirëmbajtje e servisim, dhe atë 1,2 milion denarë. Për blerje të pajisjeve që nuk figurojnë në evidencë 21 milion denarë. Prokurime me vetëm një ofertues dhe çmime të dyshimta. Shfrytëzim i automjetit zyrtar për nevoja private. Për gjashtë muaj, pagë të drejtorit kanë marrë dy persona si dhe pagesa të punëtorëve më tepër se sa rroga e paraparë./Alsat.mk.








