Më 28 tetor vendoset gjithçka! Zgjidhet pasardhësi i Abazit në Prokurori
Sot ose nesër publikohet në Gazetën Zyrtare vendimi i Këshillit të Prokurorëve për mbajtjen e zgjedhjeve për shefin e ri të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, të cilën aktualisht e udhëheqë Islam Abazi. Me këtë, nis afati 15 ditor për paraqitjen e kandidaturave.
Votimi do të mbahet më 28 tetor, ndërsa pasardhësi i Abazit do të zgjidhet me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i votave të prokurorëve të vendit. Mandati i shefit të Prokurorisë është 4 vjet, ndërsa për t’u zgjedhur, prokurori duhet të plotësojë kushtin e stazhit të pandërprerë 6-vjeçar si prokuror, deri në momentin e paraqitjes së kandidaturës, por edhe të jetë i vlerësuar me notë pozitive në tre vitet e fundit. Zgjedhja e Abazit para katër viteve në krye të kësaj prokurorie shkaktoi reagime në opinion për shkak të disa fotografive në shoqëri të familjarëve të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. /Alsat.mk








