Koralet e Australisë kërcënohen me zhdukje për shkak të ndryshimeve klimatike
Gjatë verës, e cila ishte e nxehtë në kontinentin australian këtë vit, temperaturat e ujit të oqeanit u rritën me katër gradë Celsius, duke shkaktuar zbardhjen e dy shkëmbinjve koralorë më të mëdhenj të Australisë në të njëjtën kohë.

Studiuesit thonë se shkëmbinjtë koralorë në Gjirin e Shark në Australinë Perëndimore janë gjithashtu në rrezik.
Reef Ningaloo është një sit i Trashëgimisë Botërore dhe ndodhet në bregun veriperëndimor të Australisë Perëndimore. Zona mbulon rreth 705,015 hektarë, rreth 1,200 kilometra në veri të Perthit, përgjatë Oqeanit Indian lindor.
Krahas kësaj zone, pjesë e Trashëgimisë Botërore është edhe Guma Barriere e Madhe në lindje, e cila, ashtu si pjesa perëndimore, është e pasur me korale që janë prekur nga zbardhja e rëndë, gjë që po shqetëson më tej oqeanografët dhe ekologët që merren me koralet.
Ngrohja globale, dhe një verë veçanërisht e nxehtë këtë vit në Australi, ka shkaktuar “stres të madh të nxehtësisë” që po shkatërron shëndetin e shkëmbinjve koralorë, duke rezultuar në zbardhjen e koraleve në zona të mëdha të habitatit të tyre.
Ekipet e shkencëtarëve po kryejnë kërkime të reja dhe po hetojnë shkaqet e mundshme të zbardhjes së vazhdueshme të koraleve në këto zona.
Dy nga shkëmbinjtë koralorë më të famshëm të Australisë, Ningaloo në bregun perëndimor dhe Barriera e Madhe në lindje, po goditen njëkohësisht nga zbardhja e rëndë e koraleve, një fenomen që ekspertët e kanë quajtur “një moment thellësisht shqetësues për koralet”.
Paul Gamblin, shefi ekzekutiv i Shoqatës Australiane të Ruajtjes së Oqeanit, tha se historia do ta regjistronte këtë si një moment thellësisht shqetësues për koralet, pasi të dy shkëmbinjtë koralorë të Australisë u prekën njëkohësisht nga zbardhja.
Koralet zbardhen kur përjetojnë të ashtuquajturin stres, për shkak të temperaturave të larta të oqeanit, dhe më pas koralet humbasin ngjyrat e tyre natyrore, strukturën… Kur koralet vdesin, shkëmbinjtë nënujorë shemben relativisht shpejt.

Koralet mund të shërohen nga zbardhja e lehtë, por zbardhja e rëndë ose afatgjatë është shpesh fatale. Koralet mund të tolerojnë periudha të shkurtra të temperaturave më të larta, por nëse këto temperatura të larta vazhdojnë, algat korale e braktisin koralin në përgjigje të stresit të zgjatur të nxehtësisë. Pa këto alga, koralet humbasin ngjyrën e tyre, zbehen dhe zbardhen plotësisht.
Zbardhja është zakonisht më e keqja në koralet që rriten në ujë të cekët, siç janë lagunat e qeta. Lagunat shpesh kanë ujëra të pastër me depërtim të lartë të dritës dhe rrjedhje të kufizuar të ujit.
Shumë nga shkëmbinjtë koralorë të Australisë janë disa qindra vjet të vjetra, dhe disa i kanë mbijetuar ngjarjeve të zbardhjes disa herë.
Raportet nga organizatat evropiane që merren me ndryshimet klimatike brenda BE-së tregojnë se temperaturat e detit kanë qenë më të larta gjatë tre dekadave të fundit.
“Zbardhja masive e koraleve, në zona prej qindra apo edhe mijëra kilometrash, konsiderohet si një nga ndikimet më të dëmshme të ngrohjes globale”, thanë studiuesit nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike.
“E ardhmja e ekosistemeve oqeanike dhe shkëmbinjve koralorë në mbarë botën është në fokusin e mbrojtjes, duke përfshirë Barrierën e Madhe, Detin e Karaibeve, Atlantikun e Jugut, Detin e Kuq…”, tha Leticia Carvalho, kreu i programeve të OKB-së për detin dhe oqeanet.
Në muajt e ardhshëm, koralet do të vazhdojnë të jenë me shëndet të dobët dhe mund të kërcënohen nga llojet e kërmijve që hanë koralet. Disa nga koralet mund të mbijetojnë, por ata do të luftojnë me riprodhimin dhe sistemin imunitar.
Me afrimin e dimrit në hemisferën jugore, oqeanet do të fillojnë të ftohen, kështu që kërcënimi për shëndetin e koraleve do të pushojë.
Siç thanë studiuesit, nëse vazhdojmë me pasojat e ngrohjes globale, ngjarjet e zbardhjes së koraleve në brigjet lindore dhe perëndimore të Australisë do të bëhen “normalja e re” dhe kjo do të ishte katastrofike për shkëmbinjtë koralorë, biodiversitetin detar, ekonominë blu dhe mirëqenien e australianëve.