Armëpushimi, Zelenski thirrje partnerëve të Ukrainës të jenë të qëndrueshëm përballë kushteve të Rusisë
Armëpushimi, Zelenski thirrje partnerëve të Ukrainës të jenë të qëndrueshëm përballë kushteve të Rusisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje partnerëve të Ukrainës të jenë të qëndrueshëm përballë kushteve të vendosura nga Rusia për zbatimin e marrëveshjes për armëpushim në Detin e Zi. Zelensky, i cili foli në Paris para samitit të rëndësishëm të mbrojtjes për formimin e një “koalicioni të vullnetit” tha se ai ishte pajtuar që të vazhdonte bisedimet për armëpushim në Arabinë Saudite për të siguruar rinisjen e ndihmës amerikane dhe ndarjen e informacioneve të inteligjencës. Shtëpia e Bardhë tha se bisedimet prodhuan një marrëveshje “për zhvillimin e masave për zbatimin” e zotimeve të fundit për të ndalur sulmet ndaj ndërtesave të energjisë dhe një armëpushim në Detin e Zi. Por, Rusia po kërkon që të përmbushen një sërë kushtesh, përfshirë lehtësimin e sanksioneve, në këmbim të respektimit të marrëveshjes.
“Situata në Detin e Zi është më e komplikuar. Moska po përpiqet të përfshijë disa kushte shtesë në marrëveshje, e cila nuk përmban parakushte, ndaj presim që pala amerikane të sigurojë një armëpushim pa kushte në det. Askush nuk dëshiron të tërheqë vendet e tjera në luftë. Një kontingjent është shumë i rëndësishëm për kontroll. Para së gjithash, çdo kontingjent përbëhet nga njësi luftarake, por mbi të gjitha synojnë të kontrollojnë situatën, ta monitorojnë atë, të kryejnë stërvitje të përbashkëta, si dhe të parandalojnë çdo dëshirë të Rusisë për t’u rikthyer me valë të përtërirë agresioni”, deklaroi Volodimir Zelenski, President i Ukrainës. /Alsat.mk