LSDM-ja dhe BDI-ja nuk janë të kënaqura me hetimin për tragjedinë në Koçan, Mickoski iu përgjigjet
LSDM-ja dhe BDI-ja nuk janë të kënaqura me hetimin për tragjedinë në Koçan, Mickoski iu përgjigjet

Gazetar: Suad Bajrami
Kryeministri Hristijan Mickoski u përgjigjet BDI-së dhe LSDM-së të cilat gjatë periudhës së kaluar kanë kërkuar komision anketues dhe hetim ndërkombëtar në lidhje me hetimin për tragjedinë e Koçanit, pasi sipas opozitës aktualisht po kryhet në mënyrë selektive. Mickoski, ua rikujton se hetimin po e udhëheqë prokurori Lupço Kocevski të cilin vet ata e kanë zgjedhur, ndërsa ndihmës të tij janë prokurorët Islam Abazi dhe Gavrill Bubevski, të cilët kryeministri tha se kanë ardhur prej defterëve partiakë.
“Prokurori është ai i njëjti, i cili këto dy parti politike e kanë votuar. Mëngjesin në Koçan, para orës 8, ai prokuror në hapësirat e MPB-së në Koçan arriti me dy, të themi bashkëpunëtorë. Njëri është Islam Abazi, shpresoj që nuk duhet të flas shumë për këtë emër, prej ku vjen dhe si vjen, ndërsa i dyti është Gavrill Bubevski, gjithashtu e keni të qartë prej ku vjen, prej cilëve defterë janë zgjedhur këto, dhe mënyrën se si janë zgjedhur këta prokurorë. Ajo që nuk vazhduam në procesin për ndërrimin e prokurorëve, ajo nuk nënkupton se kemi harruar të gjithë atë që e kanë bërë dhe prej ku vijnë”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski, pyet BDI-në dhe LSDM-në, meqë nuk janë të kënaqur me hetimin që po e bëjnë prokurorët për tragjedinë e Koçanit, a janë të kënaqur me hetimet që këta prokurorë i kanë bërë për tragjeditë tjera dhe skandalet e korrupsionit gjatë kohës së qeverisjes së tyre.
“Të njëjtët këta ishin të përkëdhelurit e të njëjtëve atyre, që tani LSDM dhe BDI thonë se nuk janë të kënaqur nga hetimi që ata e bëjnë. Unë do t’i pyesja se a kanë qenë të kënaqur nga hetimi për Spitalin Modular, a kanë qenë të kënaqur nga hetimi për Llaskarcën, a kanë qenë të kënaqur nga hetimi për Besa Trans, për Qendrën Tregtare Soravia në Shkup dhe shumë hetime tjera të cilat ishin të njohura për opinionin në periudhën e kaluar”, shtoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
BDI dhe LSDM gjatë periudhës së kaluar kanë kërkuar që në Kuvend të formohet Komision Anketues për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi, pasi sipas tyre Prokuroria po vepron në mënyrë selektive duke ndjekur vetëm ish funksionarët, por jo edhe ato aktual.
Që nga pavarësia e vendit, në vend janë formuar dhjetëra komisione anketuese për raste të ndryshme të cilat kanë pasur interes të lartë në opinion, megjithatë të njëjtat nuk kanë ndonjë histori të lavdishme. Për këtë, ekspertët, por edhe qytetarët, në vazhdimësi tregojnë skepticizëm në lidhje me rolin e komisioneve anketuese në zbardhjen e çështjeve. Fat të tillë patën, komisionet anketuese për rastin e vdekjes së Almirit 4-vjeçar nga Kumanova, Lagjen e Trimave, Sopoti, Monstra, përgjimet, “e hëna e zezë”, Onkologjia e të tjera. /Alsat.mk