Krerët shtetëror të Maqedonisë së Veriut kanë dërguar urime me rastin e festës së madhe islame Fitër Bajramit
Krerët shtetëror të Maqedonisë së Veriut kanë dërguar urime me rastin e festës së madhe islame Fitër Bajramit

Gazetar: Suad Bajrami
Krerët shtetëror të Maqedonisë së Veriut kanë dërguar urime me rastin e festës së madhe islame Fitër Bajramit. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova ka uruar besimtarët myslimanë që ditët e festës t’i kalojnë në harmoni, gëzim dhe mirëqenie.
“Të gjithë besimtarëve të fesë islame u dërgoj urime të përzemërta me rastin e festës së madhe myslimane – Ramazan Bajram. Nga zemra ju dëshiroj ditët e festës t’i kaloni në harmoni dhe mirëqenie, të mbushur me gëzim dhe fat, duke ndarë dashuri dhe kujdes me më të afërmit”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova, presidente.
Për më shumë mirëkuptim, dashuri e mirëkuptim ka uruar kreu i Kuvendit Afrim Gashi.
“Pas një periudhe reflektimi, sakrifice dhe angazhimi të thellë për t’u afruar më shumë me Zotin, kam kënaqësinë t’ju uroj festën e madhe të Fitër Bajramit. Ramazani na mësoi se agjërimi është një rrugë për ta pastruar shpirtin, dhe se çdo ditë është mundësi për të praktikuar vlerat e sinqeritetit, dashurisë dhe respektit për njëri-tjetrin”, tha Afrim Gashki, kryetar i Kuvendit.
Kryeministri Hristijan Mickoski, duke uruar besimtarët rikujton se Bajrami është e solidaritetit dhe humanizmit.
“Më lejoni që në emrin tim dhe emrin e Qeverisë të gjithë qytetarët e fesë islame t’ua uroj festën e Ramazan Bajramit dhe t’u dëshiroj shëndet, gëzim, fat, paqe dhe qetësi në familje. Ramazan Bajrami është festë e solidaritetit dhe humanizmit, i cili i mëson të pasurit të përmbahen nga komoditetet dhe të mos i harrojnë të varfrit dhe jetimët”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Fitër Bajrami është bekim dhe shpërblim hyjnor, thuhet në urimin e zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti i cili uron për paqe e mirësi.
“Gëzuar Fitër Bajramin! Paqja, mëshira dhe begatia e Zotit qoftë mbi ju, mbi familjet tuaja dhe mbi të gjithë ata që punojnë për të mirën e përbashkët! Pas një muaji përkushtimi, sakrifice dhe reflektimi, vjen Fitër Bajrami si një bekim dhe shpërblim hyjnor. Ashtu si agjërimi na mësoi durimin, vetëpërmbajtjen dhe përkushtimin, edhe përpjekja jonë e përbashkët për të mirën e përgjithshme kërkon përkushtim, durim dhe sakrificë”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër.
Për unitet dhe bashkim, me rastin e festës ka uruar edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Muaji i shenjtë i Ramazanit na udhëhoqi në rrugën e përkushtimit dhe shërbimit ndaj Perendisë. Sot, në këtë ditë të shenjtë të Fitër Bajramit, do të dëshiroja të shpreh urimet më të sinqerta për secilin prej jush, me shpresën që kjo festë të na bashkojë dhe të forcojë unitetin tonë si shoqëri”.
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, urata kanë dërguar edhe përfaqësues tjerë të institucioneve, politikës dhe jetës publike në vend. /Alsat.mk