Tre parti të VLEN-it përgënjeshtrojnë Taravarin: S’kemi arsye për të biseduar me BDI-në
Tre parti të VLEN-it përgënjeshtrojnë Taravarin: S’kemi arsye për të biseduar me BDI-në

Gazetare: Fatlume Dervishi
Ndërsa Taravari e normalizonte kontaktin me BDI-në, përfshi edhe nga partitë e tjera të VLEN, tri partitë e koalicionit e përgënjeshtruan brenda sekondash Taravarin. Në komunikatat e tyre për shtyp, ato thanë se nuk kanë asnjë komunikim dhe as kanale komunikimi me BDI-në dhe kreun e saj, ashtu siç pohoi të kishte Taravari, por edhe që pretendonte se cdonjëri prej liderëve të tjerë kishte.
“AlternAtivA nuk ka asnjë komunikim në asnjë nivel dhe në asnjë kanal me BDI-së dhe kryetarin e saj. Përtej kësaj, AlternAtivA gjykon se nuk ka asnjë arsye e nevojë që të komunikohet me një parti të regjistruar në listën e zezë amerikane të personave non-grata, e cila te shqiptarët do të mbahet mend vetëm për korrupsion, krim dhe abuzim me pushtetin. Adresa e mbrojtjes së interesave shqiptare është duke komunikuar me popullin dhe duke i mbrojtur interesat e tyre në mënyrë të përpiktë dhe dinjitoze”, thonë nga Alternativa.
“As kryetari Bilall Kasami dhe asnjë eksponent tjetër i Lëvizjes BESA nuk ka komunikim me Bashkimin Demokratik për Integrim. Qytetarët dhe mbështetësit e Lëvizjes BESA e dijnë mirë, se që nga themelimi dhe deri më tani, asnjëherë nuk kemi qenë në komunikim me BDI-së, kur ajo është dashur të shpëtohet nga bëmat e saj, e as këtë herë nuk ka asnjë arsye për të pasur madje edhe kanal komunikimi me të. Nëse do të kishte, do të ishte i hapur dhe para qytetarëve. VLEN-i ka kuptim vetëm aq sa e ruan distancën politike me BDI-në”, shprehen nga Lëvizja Besa.
“Lëvizja Demokratike hedh poshtë çdo spekulim se ka komunikim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. LD nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj bashkëpunimi me një parti të zhytur në korrupsion, ku figura kryesore të saj janë të vendosura në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për kapjen e gjyqësorit dhe abuzimin me pushtetin. LD mbetet e palëkundur në vizionin e saj për një politikë të pastër, të pakorruptuar dhe në shërbim të qytetarëve”, thonë nga Lëvizja Demokratike.
Reagimet e tri partive erdhën rishtazi pasi Taravari tha se ka kanale komunikimi me BDI-në dhe shtoi se nuk beson se ndonjë parti tjetër nuk ka kanale. Ai sot e zbuti qëndrimin duke iu referuar kontakteve të zakonshme që kanë deputetët. Megjithatë, në intervistën e mbrëmshme për 360 gradë, ai pranoi se nga BDI-ja ka sinjale se dëshiron të bashkëpunojë në zgjedhjet lokale dhe tha se nuk ka dyshime që këto kontakte i kanë edhe me partitë tjera të VLEN-it.
“Njerëz që komunikojnë prej partive të ndryshme vazhdimisht ka. Së paku, deputetët në Kuvend të të gjitha partive takohen me njëri tjetrin”, deklaroi Arbën Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët. /Alsat.mk