Studeniçan/ Vërshimet nxjerrin në sipërfaqe mbeturinat
Studeniçan/ Vërshimet nxjerrin në sipërfaqe mbeturinat

Gazetare: Ajnur Bafqari
Një ditë pas vërshimeve përgjatë lumit Markovë në komunën e Studeniçanit, situata është e qetë. Uji tashmë është tërhequr, ndërsa në sipërfaqe kanë dalë të gjitha mbeturinat që ndodheshin në lum, shkruan Alsat.
Autoritetet komunale në bashkëpunim me kompanitë private të rajonit të kësaj komune, kanë dalë në terren për të pastruar shtratin e lumit, ndërsa po vijon edhe procedura e vlerësimit të dëmeve.
Banorët thonë se janë pikërisht kompanitë që sot po bëjnë pastrimin, ata që e kanë shkaktuar problemin me shtratin e lumit.
“E mbrojnë pronën e tyre, për ne askush asgjë…Shikoni këtu te fqinji shkoi e gjithë serra, mua më shkoi i gjithë tërfili, atje në fermë më bëri katastrofë, më mbeti vetëm që lopët të më shkojnë. Ne fshatarët u mblodhëm këtu, këtu rridhte uji, këtu ku jemi për momentin… ua tregon hallin të thonë kemi koncesion për të gjithë lumin, atë koncesion dikush ua ka dhënë që ta bëjë këtë”, thënë një qytetar.
Ura që dje ishte e bllokuar për të gjitha automjetet e që më vonë u lëshua në qarkullim, vazhdon të mos frekuentohet nga autobusët.
“Ura është e bllokuar momentalisht, autobusët nuk shkojnë lart, nuk shkojnë, nuk e di përse, dje ishin nga Studeniçani, kryetari bashkë me disa ekspertë që vlerësuan se është në rregull, nuk e di përse nuk e lëshojnë autobusin… Së paku dy tre stacione ecim në këmbë…01:24 Ajo që kaloi këtu, ka ndodhur ndoshta edhe dy tre herë të tjera, vetëm se nuk ishte në këto përmasa, duhet të rregullohet, edhe të bëhet kanalizimi”, u shpreh një qytetar tjetër.
Kreu i komunës paralajmëron kontrolle të përforcuara dhe masa më të ashpra ndaj banorëve që për të zgjeruar tokat e tyre kanë ngushtuar shtratin e lumit. I pyetur lidhur me ankesat e banorëve ndaj ndërmarrjeve private, Sadiku tha se ata nuk janë shkaktarët e vetëm.
“Është e vërtetë se një pjesë e këtyre pronarëve në anën tjetër të fshatit Batincë, ata duke u munduar që ta rris nivelin e tokave të tyre po na shkaktojnë problem, pasi nëse ata vazhdojnë ta shtyjnë lumin këndej, dhe kjo pjesë ta shtyjë andej, nuk na dërgon askund. Mirëpo tash e tutje do të marrim masa më rigoroze dhe do të kemi kujdes më shumë në këtë aspekt…Brenda kompetencave tona, megjithatë do të ftojmë edhe inspektorate të ndryshme në nivele qeveritare”, tha Azem Sadiku, Kryetari i Komunës së Studeniçanit.
Sadiku u bën thirrje banorëve që të vetëdijesohen dhe të mos hedhin mbeturina afër lumenjve, thotë se si komunë do të bëhen të gjitha përpjekjet për mirëmbajtje, por nevojitet edhe ndihma e banorëve./ Alsat.mk