Për 10 muaj katër vrasje, LSDM: Qytetarët nuk ndihen të sigurt, ministri nuk ka kontroll mbi situatën e sigurisë
Për 10 muaj katër vrasje, LSDM: Qytetarët nuk ndihen të sigurt, ministri nuk ka kontroll mbi situatën e sigurisë

Gazetar: Mihajllo Donev
Pas vrasjes në Shtip, nga LSDM thonë se siguria në Maqedoninë e Veriut është tërësisht e cenuar dhe se vrasjet janë bërë përditshmëri, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, nuk ka kontroll. LSDM thotë se pothuajse çdo javë ka vrasje, dhe atë para syve të qytetarëve. Vetëm për 10 muaj në Shkup ka pasur disa vrasje, te Mavrovasja, në Bit Pazar, Çair, Shuto Orizarë, si dhe është rritur ndjeshëm numri i vjedhjeve. Njerëzit ndihen të frikësuar për sigurinë e tyre kur dalin në kafene apo restorante, thonë nga LSDM.
“Vrasja e djeshme në Shtip, në kafene, është e fundit në vargun e vrasjeve që kanë ndodhur gjatë këtij viti, edhe atë publikisht, para dëshmitarëve. Kjo është dëshmi se ministri i Punëve të Brendshme, Toshkovski, po e humb kontrollin mbi sigurinë në shtet. Toshkovski jo vetëm që nuk ka kapacitet të përballet me krimin dhe të garantojë sigurinë e qytetarëve, por edhe lejon përhapjen e lirë të tij nëpër rrugë, e madje edhe nëpër stacionet policore”, tha Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.
Nga VMRO-DPMNE, në anën tjetër, thonë se lufta kundër krimit është e gjatë dhe e mundimshme, por tani, ndryshe nga më parë kur kriminelët ishin të mbrojtur nga pushteti i LSDM-së, ata po nxirren përpara drejtësisë. Sipas VMRO-së, në kohën e LSDM-së kriminelët lëviznin lirshëm nëpër rrugë, ndërsa tani përfundojnë pas grilave.
“Me marrjen e përgjegjësisë që VMRO-DPMNE të udhëheqë Qeverinë, tashmë po shihen edhe rezultatet e para nga lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Po zhvillohen hetime për veprime të ndryshme kriminale, po zgjidhen raste, po arrestohen persona që kanë shkelur ligjin, përfshirë edhe ata që në kohën e LSDM-së ishin të paprekshëm. Luftën kundër krimit dhe korrupsionit po e shohin dhe e vërejnë edhe qytetarët. Prandaj edhe në sondazhet e opinionit publik, 60% e qytetarëve vlerësojnë se lufta e Qeverisë kundër krimit është intensive dhe e vazhdueshme”, u thonë nga VMRO-DPMNE.
Mbrëmë në Shtip, një shtetas turk 25-vjeçar u vra nga një 21-vjeçar, gjithashtu nga Turqia. /Alsat.mk