Kërkesa e Selës, heshtje në BDI, VLEN e ka gati kandidatin
Kërkesa e Selës, heshtje në BDI, VLEN e ka gati kandidatin

Gazetar: Zekirja Haxhiu
Asnjë zë nga BDI pas porosisë së të djeshme të kreut të ASH-së, Ziadin Sela, për atë se nëse nuk ua japin Strugën, nuk do të kishte kuptim prezenca e ASH-së në Frontin Evropian.
Natyrisht që Struga duhet t’i takojë Aleancës për Shqiptarët, as nuk duhet të diskutohet kjo. Përndryshe ç’kuptim do të kishte Aleanca për Shqiptarët në kuadër të Frontit Evropian… tha Ziadin Sela – ASH/FE.
Alsat tentoi të kontaktojë përfaqësues të BDI-së, por nuk morëm përgjigje. Heshtja në BDI vjen pasi brenda Frontit Evropian, sipas burimeve të Alsat, vetëm se ka filluar përçarja veçanërisht në prag të ndarjes së komunave por edhe debatit për njësitë zgjedhore. Edhe pse Sela është i prerë se Struga duhet t’i takojë ASH-së, si duket kreu i integristëve Ahmeti është i vendosur që në Strugë të nxjerrë si kandidat kryetarin e degës, Faton Pollozhanin. Ndërkohë nga radhët e ASH-së së Taravarit si kandidat i mundshëm është zv.drejtori i deritanishëm i Doganave, Garip Kaba. Nga radhët e ASH-së së Selës, nuk përjashtohet mundësia që të kandidojë vet Sela, gjë që deri tani nuk e ka mohuar.
Koalicioni VLEN gjithashtu ka kandidat për Strugën kryetar komune. Ndonëse ka dakordësi, emri i kandidatit do të publikohet më vonë.
Sa i takon Strugës mund të them se kemi dakordim të përbashkët që në Strugë të gjejmë një emër përfaqësues për Strugën i cili do të sjellë frymë të re në Strugë, për shkak të kaluarës që ne shohim se udhëhiqet nga një kryetar me një të kaluar mjaftë koruptive por edhe person i listës së zezë amerikane. Struga e meriton një kandidat të dinjitetshëm dhe t’ia kthen Strugës famën e saj, deklaroi Zeqirija Ibrahimi – VLEN.
Ndonëse deri tani nuk është zyrtarizuar, emri më i përfolur për kanididat në Strugë nga radhët e VLEN është kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Mendi Qyra. Ibrahimi nuk e përjashtoi mundësinë që në disa komuna të nxjerrin kandidatë jo partiak ndërsa kanë dakord edhe me VMRO-DPMNE-në, që në të komuna të caktuara të mbështesin kandidatët e njëri tjetrit. /alsat.mk