Interpelanca kundër kreut të Gjykatës Kushtetuese mund të tërhiqet nga rendi i ditës

Interpelanca kundër kreut të Gjykatës Kushtetuese mund të tërhiqet nga rendi i ditës

Në seancën plenare të 9 korrikut, pikë e rendit të ditës është edhe interpelanca kundër kreut të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski e iniciuar nga Fronti Evropian. Megjithëse në koordinimin që sot kishte kreu i Kuvendit, Afrim Gashi me koordinatorët e grupeve parlamentare është hapur debati nëse një iniciativë e tillë mund të diskutohet ose jo. Sipas interpretimeve që përfaqësues të ndryshëm kanë dhënë, interpelanca i referohet bartësit të funksionit publik por që në rastin e Kostadinovskit nuk plotësohen kushtet që ligjvënësi t’i kërkon llogari. Përfaqësuesi i Frontit Evropian nuk ka qenë prezent në koordinim. Gashi para gazetarëve tha shkurt se ai ka respektuar të gjitha procedurat, ndërsa pjesa tjetër u takon plenumit i cili do të vendosë mbi parimin bazë të shumicës në Kuvend.

Nuk përjashtohet mundësia që në seancën e ditës së mërkurë të kërkohet që pika të tërhiqet nga rendi i ditës. Megjithëse për ta tërhequr pikën nga rendi i ditës, nevojitet shumicë e thjeshtë gjë të cilën VMRO-DPMNE-ja duhet ta siguron bashkërisht me koalicionin VLEN, partinë ZNAM ose LSDM-në.

Interpelanca ndaj Kostadinovskit u parashtrua më 4 qershor nga deputetët e Fronti Evropian. Në arsyetimin e saj thuhet se veprimet e kreut të Gjykatës Kushtetuese japin indikacione se ai ka qëndrime kundër gjuhës shqipe dhe këto duhet t’i shpreh publikisht para deputetëve dhe opinionit.

Kostadinovski në përgjigjen e tij ka deklaruar se nuk komenton nisma politike dhe se nuk do të merr pjesë në seancë. Në mënyrë plotësuese Kostadinovski nuk është përgjigjur as me shkrim brenda afatit 10 ditorë ashtu siç parashikon Rregullorja për punën e Kuvendit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button