Spitali i Tetovës pritet të shpall tender për të pajisur me materiale repartin ortopedik

Spitali i Tetovës pritet të shpall tender për të pajisur me materiale repartin ortopedik

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Reparti i ortopedisë në Spitalin Klinik të Tetovës vazhdon edhe më tej të mos kryej intervenime kirurgjikale. Shkak për këtë është mungesa e materialeve për operacion për tash e disa muaj me radhë.

“Po bëhet tashmë një vit, që kur premtimet, një pas një kanë ardhur nga udhëheqësia e spitalit se për dy tre apo pesë jave do të ketë materiale dhe në repartin e ortopedisë, do të bëhen intervenimet kirurgjikale. Megjithatë vazhdojnë të jenë vetëm premtime ndërsa pacientët vazhdojnë të shkojnë në Shkup për të gjetur zgjidhje”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.

Drejtuesi i repartit të ortopedisë thotë se kjo i vë në siklet edhe ata si mjek, sepse ndjehen të pafuqishëm ndaj pacientëve që iu duhet intervenim kirurgjikal.

“Si duket ne po kalojmë një periudhë ku në vazhdimësi përcjellim informatën se nuk kemi materiale dhe nuk kryejmë për momentin intervenime kirurgjikale. Ndoshta shpresojmë si gjithnjë me tende që të na ofrohen ato materiale dhe të realizojmë këtë pjesë. Besoj se nga drejtoria jeni të informuar ka apo do ketë. Ne jemi të gatshëm dhe presim në këtë drejtim sepse e shihni se pjesa ambulatore është e ngarkuar përditë. Gati një vit ne nuk posedojmë materiale për të cilat mund ti kryejmë intervenimet dhe kjo na ka vënë në një pozicion jo të rehatshëm”, deklaroi Arton Neziri, reparti i Ortopedisë Tetovë.

Drejtuesit e Spitalit Klinik thonë se brenda muajit të ardhshëm do të hapet tenderi.

“Brenda muajit të ardhshëm do të bëjmë hapjen e tenderit për furnizime me materialet e nevojshme, që edhe reparti i ortopedisë, të nis me kryerjen e operacioneve të nevojshme kirurgjikale”, njoftojnë nga Spitali Klinik i Tetovës.

Ndryshe, ortopedia në Tetovë nuk ka vetëm mungesën e materialeve të nevojshme për kryerje të intervenimeve kirurgjikale, por këtij reparti i mungon edhe kuadri, dhe sipas drejtuesit të repartit, është nevojë urgjente që të bëhet pranimi i mjekëve të rinj, sepse nga gjithsej dhjetë mjetë sa i nevojiten këtij repartit, për momentin ka vetëm katër. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button