Liverpulli dhe PSZH , “prekin” çerekfinalen në Champions

Ashtu siç edhe pritej, janë Liverpuli dhe Paris Sen Zhermeni, dy skuadrat e tjera çerekfinaliste të Ligës së Kampionëve.
Pas fitores 4-1 të duelit të parë, në ndeshjen e kthimit, francezëve u duhej vetëm që të administronin rezultatin për të kaluar mes 8 ekipeve më të mira të turneut. Gjërat shkuan më së miri në fillimin e ndeshjes për ta, kur shumë shpejt gjetën avantazhin me anë të penalltisë se Kilian Mbape. Por më pas erdhi reagimi katalanas, i ndezur nga Lionel Mesi i cili shënoi një gol spektakolar me një goditje të jashtëzakonshme nga distanca që u ndal në trekëndëshin e portës. Që aty nisi një ofensivë e furishme e ekipit të Barcelonës përballë portës parisiene me Kejlor Navas i cili ishte në një ditë të mirë dhe ndaloi çdo tentativë tjetër që shkonte drejt katërkëndorit të tij,
Në shtesën e sfidës, erdhi momenti që ndoshta vulosi fatin e kësaj eliminatoreje, ,pasi Barcelona fitoi penallti të cilën mori përsipër ta gjuante Mesi. Këtë radhë ai vendosi të ekzekutonte me forcë por Navas gjeti devijimin e duhur duke bërë që topi të përplasej në traversë e të shpëtonte skuadrën e tij nga goli i dytë që padyshim do të hapte duelin.
Gabimi do të peshonte shumë pasi trysnia te Barcelona në kërkim të golit u shtua dhe katalanasit nuk kishin më besimin e duhur me kalimin minutave, pasi edhe Navas vazhdoi serinë e tij mbresëlënëse të pritjeve. Rezultati nuk ndryshoi më deri në fundin e sfidës e kështu, PSZH kaloi në çerekfinale, ndërsa Barça dhuroi një tjetër zhgënjim historik në një edicion që po shkon keq e më keq për të.
Liverpulli shënon 2 gola për 3 minuta
Liverpuli i Ligës së Kampioneve është krejtësisht i ndryshëm nga ai i Premier Ligës. Skuadra e Klop ka gjetur përsëri veten në turneun ndërkombëtar dhe me një tjetër fitore 2-0 ndaj Lajpcigut, ka siguruar praninë në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Pas fitores 2-0 të ndeshjes së parë në transfertë, skuadra angleze e cila kishte mungesa të shumta mendoi të menaxhonte më mirë duelin e kthimit, por pa harruar të sulmonte. Megjithatë, për të zgjidhur sfidën përballë gjermanëve që provuan që të kthenin sfidën në favorin e tyre, u desh të priteshin 20 minutat e fundit të duelit, pasi në të 71-tën ishte Salah ai që dërgoi sferën në rrjetë për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij.
Vetëm 2 minuta më vonë, pas një kundërsulmi të shpejtë, ishte Sadio Mane ai që ulosi sfidën me golin e dytë, duke sigluar kështu kalimin në turin tjetër të Liverpulit që vazhdon të jetë një ndër skuadrat që synojnë fitoren e turneut.