Qeveria: Protokollet garantojnë regjistrim të sigurt të popullsisë

Protokollet shëndetësore janë garancë për regjistrim të sigurt, vlerësojnë nga Qeveria. Por, sa i takon shtyrjes eventuale për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, sipas ekzekutivit, vendimet sillen duke u nisur nga rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse dhe analizave të Shtabit Qendror të Krizës.
Të gjitha aktivitetet zhvillohen në drejtim të asaj që regjistrimi do të realizohet. Garancë se nuk ka nevojë për shtyrje sigurisht është protokolli i rreptë i cili respektohet, me trajnim të duhur për regjistruesit dhe ekipeve të regjistrimit. Absolutisht, do të ndiqen rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse- deklaroi Dushko Arsovski, zëdhënës i Qeverisë.
Që protokollet aktuale për mbrojtje gjatë regjistrimit funksionojnë, sipas Ministrisë së Drejtësisë, dëshmon edhe fakti që nuk ka asnjë të infektuar të ri pas regjistrimit të përfunduar në burgje. Duke filluar nga java e ardhshme, Enti i Statistikës do të fillojë të marrë të dhënat nga “Termini im” për personat e infektuar dhe ata që janë në izolim. Do të gjendet mënyrë edhe për regjistrimin e tyre.
Nëse gjendet hapësirë kur mund të regjistrohet personi deri sa zgjasin afatet e regjistrimit, do ta bëjmë atë. Në të kundërt, nëse gjatë gjithë periudhës që zbatohet regjistrimi, personi është në izolim, do të përpiqemi të biem në kontakt me familjen e tij dhe do të shohim se cilët persona të familjes së tij do të mund të japin të dhëna për atë person. Si opsion i fundit, nëse personi është vetëm dhe nuk ka familje atëherë regjistruesit tanë, me të gjitha pajisjet mbrojtëse do të futen në shtëpinë e tij për ta regjistruar- pohoi Jasmina Gjorgjieva, Enti Shtetëror i Statistikës.
Ndërkohë vazhdon përpjekja për angazhimin e numrit të nevojshëm të regjistruesve të terrenit.
Duhet të theksoj se që nga konkursi i parë për angazhimin e regjistruesve ne e kishim numrin e nevojshëm të tyre dhe të instruktorëve rajonal por konkurset plotësuese janë për shpërndarje të barabartë të regjistruesve nëpër rajone dhe për respektimin e përfaqësimit të barabartë etnik të të gjithë pjesëmarrësve, dhe për shkak se një numër i kandidatëve nga konkursi i parë dhe i dytë nuk u paraqitën në testim- tha Jasmina Gjorgjieva, Enti Shtetëror i Statistikës.
Qeveria është e kënaqur me regjistrimin e diasporës. Deri tani janë regjistruar mbi 82 mijë qytetarë prej të cilëve më shumë nga Zvicra, Gjermania dhe Italia. Sipas ekzekutivit, janë tejkaluar të gjitha problemet teknike të sistemit elektronik për regjistrim.
Fatlume Dervishi