Mançini, ende “në pritje” për 3 futbollistët e Interit

Trajneri i Italisë, Roberto Mançini është pa 3 futbollist të Interit për ndeshjet eliminatoret e Kupës së Botës, të “bllokuar” nga ATS (autoriteti shëndetësor i pandemisë) në “Appiano Gentile”. Siç informon “Gazzetta dello Sport”, për të zgjidhur çështjen dhe për t’i siguruar Nikolo Barella, Alesandro Bastoni dhe Stefano Sensi, Federata e Futbollit të Italisë, është gati t’i bëjë një kërkesë zyrtare institucionit përkatës të mbrojtjes së shëndetit për të modifikuar izolimin e tre lojtarëve të Interit dhe t’i lejojë ata të mbërrijnë në grumbullimin e Italisë deri të mërkurën.
Të huajt e skuadrës së Antonio Konte, të thirrur nga ekipet përkatëse kombëtare, kanë marrë dritën jeshile nga ATS për ta vazhduar karantinën në vendet e tyre. Qëllimi i Federatës së Futbollit të Italisë, është të sigurojë që kjo të ndodhë edhe me “blutë” e Interit, marrjen e miratimit nga ATS dhe ndërprerjen e izolimit të Barella, Bastoni dhe Sensi.