Zgjedhjet në Sofje, s’ka shpresë për kontestin me Maqedoninë e Veriut

Teksa mbetet e paqartë nëse epilogu i zgjedhjeve të 4 prillit në Bullgari do të rezultojë me Qeveri apo zgjedhje të reja, gazetarë dhe analistë nga Bullgaria thonë për Alsat se situata e brendshme nuk do të reflektohet negativisht në marrëdhëniet dypalëshe. Sipas gazetarit, Mihail Duzev me mbetjen e partive patriotike si VMRO-ja jashtë Parlamentit bullgar, kontesti dypalësh nuk do të jetë në mesin e prioriteteve të shumicës së re parlamentare, kushdo që ta formojë atë. Sipas tij, një qeveri eventuale e partive “protestuese” do ta zbuste qëndrimin e Sofjes ndaj Shkupit, ndërsa nuk dihet pozicioni i partisë së dytë fituese të Sllavi Trifunovit.

 Nëse formohet Qeveri koalicioni që do ta përjashtojë GERB-in dhe socialistët, do të ndryshojë politika e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, në kuptim të lehtësimit të kushteve tona për fillim të negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Askush nuk mund të parashikojë sepse vetë Sllavi Trifonov komunikon me ne, mediat dhe votuesit e tij, përmes postimeve në Facebook. Ne realisht nuk e dimë se çfarë përmban programi i tij, veçanërisht në sektorin e politikës së jashtme, ku bën pjesë edhe kontesti dypalësh”

Analisti, Viktor Kanzurov vlerëson se marrëdhëniet dypalëshe janë dëmtuar aq shumë me skandalin e institutit IFIMES, saqë as formimi i menjëhershëm i Qeverisë bullgare nuk do ta ndihmonte zgjidhjen e kontestit. Kanzurov thekson se topi është tek Shkupi, që sipas tij po shpërndanë optimizëm të rrejshëm por nuk ka gatishmëri që në tekstet shkollore të shkruajë për identitetin bullgar të Goce Dellçevit, vëllezërve Milladinovci dhe Grigor Përliçevit. Kanzurov është i dëshpëruar me shqiptarët, që sipas tij, po e mbrojnë tregimin jugo-komunist, që ishte edhe anti-shqiptar.

Do të ishte naive të presim që partitë politike të maqedonasve gradualisht të kujtohen se është më mirë të kenë marrëdhënie të mira me Bullgarinë, Greqinë, Shqipërinë, Kosovën, me shqiptarët dhe kombësitë tjera brenda. Është e pamundur. Andaj ne nuk besojmë në ish partitë komuniste, të Zaevit dhe VMRO-në. Nuk i besojmë as BDI-së, sepse Ali Ahmeti ka thënë se është me maqedonasit në këtë kontekst. Në mënyrë indirekte thotë se dikush po ua mohon identiten maqedonasve dhe ai është me to. Por i vetmi identitet që po mohohet është ai i Goce Dellçevit. Presim shqiptarët në Maqedoni ta thonë mendimin e tyre, në të kundërt do të mbeten pjesë e politikës izoluese”

Ndryshe nga analistët në vend që besojnë se Qeveria e re bullgare do të lëshojë pe shkaku i presioneve ndërkombëtare, për analistët në Sofja kjo teori është joreale.

Anesa SaliHu

LEXO EDHE:

Back to top button