Bukurshkrimi i parëndësishëm për fëmijët, teknologjia po shuan interesin për shkrim të bukur

Dorëshkrim i pakuptueshëm dhe shkarravitje në fletoret e shkollës. Kështu duket thuajse çdo e dyta fletore e nxënësve të cilët me ose padashje kanë shkrim të tillë. Mirëpo, ka edhe të tillë dorëshkrimi i të cilëve është shumë mbresëlënës. Elsa Musliji do të kalojë në klasë të shtatë ndërsa thotë se është e përkushtuar shumë që të ketë shkrim të bukur.

https://youtu.be/xWl24K-k0C8

Mua më ka ndikuar natyra ime por poashtu ka ndikuar shumë edhe mësuesja ime Mevlurije Racaj. Ajo gjithmonë na këshillonte që të jemi pedant, t’i respektojmë shenjat e pikësimit, shenjat e drejtshkrimit. Edhe mami im më tregonte, ndonjëherë e shtypsha lapsin, mami im më këshillonte, me tregonte që të shkruaj më lehtë sepse nëse e bëj ndonjë gabim mundem edhe më lehtë ta fshij -deklaroi Elsa Musliji, nxënëse.

Siç tha Elsa, kanë ndodhur raste kur nxënësit janë vlerësuar me notë të dobët pikërisht nga dorëshkrimi i keq dhe i pakuptueshëm.

Na ka këshilluar mësuesja, na ka treguar që kjo ndikon shumë nëse shënoni bukur dhe pedant sepse edhe në teste duhet të shkruajmë mirë dhe jo shpejt sepse nuk është se kush e bën i pari testin por të shkruajmë me logjikë dhe bukur që ta kuptojnë shkrimin -tha Elsa Musliji, nxënëse.

Mësuesja Hata Zylbehari që tashmë 40 vjet kryen këtë profesion tha se vazhdon të ruaj me dashuri fletoret e nxënësve me dorëshkrim të bukur. Sipas Zylbeharit, reformat në arsim dhe heqja e orëve të bukurshkrimit janë shkaku që nxënësit sot nuk dinë të shkruajnë bukur.

Sado që të mundohesh kur nuk i përkushtohesh një orë të plotë drejtshkrimit të bukur, vizë të bukur, të drejtë, nuk është e njejtë. Vështirësitë janë tej mase të mëdha se duhet të korrigjosh çdo të tretën fjalë, ku ka vendosur presjen ose pikën dhe a ka shkruar në vijë të drejtë. Tani, janë këto reforma që dështojnë fëmijët, dështon ardhmëria e tyre. Me keqardhje do ta them se dy gjëra më të bukura nuk kishin nevojë t’i largojnë nga arsimi – theksoi Hata Zylbehari, mësuese.

Gjithashtu, mësuesja Hata Zylbehari flet për atë se zhvillimi i teknologjisë gradualisht po shuan interesin e fëmijëve për dorëshkrim.

Dhe, dëgjon shumë thënie të çuditshme nga fëmijët tani, thonë çka na duhet shkrimi, do të punojmë me laptop – u shpreh Hata Zylbehari, mësuese.

Shumë dashamirë të bukurshkrimit argumentojnë se gjenerata e ardhshme do të jetë aq e papërvojë në dorëshkrim, sa që nuk do të jenë në gjendje as të nënshkruhen, apo të lexojnë dokumentet historike, ose një letër nga gjyshja e tyre.

Melihate Rustemi

LEXO EDHE:

Back to top button