A dëshiron AstraZeneca ta lërë duarbosh BE?

Të premten e kaluar, lajmi arriti te BE: AstraZeneca do të furnizojë BE në tremujorin e parë me shumë më pak vaksina nga sa kishte premtuar – rreth 60 përqind më pak. Në shifra: në vend të 80 milion dozave, do të lëvrohen vetëm rreth 30 milionë.

Komisioni i BE reagoi me zhgënjim dhe mosbesim – jo së fundi sepse kompania farmaceutike nuk mundej ose nuk do t’i shpjegonte arsyet. “Probleme në zinxhirin e furnizimit evropian” – kjo ishte gjithçka që u komunikua. Për ata që mbajnë përgjegjësi politike në BE, sipas radios gjermane Deutschlandfunk, ky është një lajm shkatërrimtar – jo vetëm përballë mutacioneve të reja të koronavirusit.

Presidenti i Këshillit të BE Michel kërcënon me mjete ligjore

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel tashmë ka kërcënuar me hapa ligjorë. Ai nuk tha se çfarë kishte parasysh saktësisht. Stacionit Europe 1 ai i tha vetëm pritej që kompanitë farmaceutike të respektonin kontratat që kishin nënshkruar.

Për bashkëpunimin u ra dakord verën e kaluar. Detajet që përmban kontrata, publiku nuk i njeh. Komisioni i BE e mban atë nën kyç – duke iu referuar klauzolave ​​të konfidencialitetit. Parlamenti Evropian ka muaj që ka kërkuar parjen e akteve.

Një gjë është e sigurtë: sipas korrespodentit të radios Deutschlandfunk për Evropën, Peter Kapern, kontrata në parim përmban që AstraZeneca do të marrë një shumë treshifrore milionash për të zgjeruar kapacitetet e prodhimit dhe për të financuar studimet. Sipas Kapern, është përcaktuar gjithashtu që AstraZeneca do të fillojë prodhimin paraprakisht, edhe nëse nuk ka ende aprovim nga BE.

Kjo do të thotë: sipas kontratës, kompania duhej të prodhonte si rezervë për BE në tremujorin e katërt të vitit 2020 dhe në tremujorin e parë të 2021. Komisioni i BE ka dyshime masive a ka ndodhur kjo me të vërtetë. Kompania farmaceutike pritet të japë informacion në një takim në Bruksel. Atëherë duhet sqaruar: ku janë dozat e vaksinës që duhet të ishin prodhuar në të vërtetë?

Ekziston një detaj më pikant në këtë kontekst: shkurtimet e dërgesave të Biontech/Pfizer padyshim që prekin të gjithë klientët që furnizohen nga fabrikat evropiane. Në rastin e AstraZeneca-s, megjithatë, pakësimi vlen vetëm për BE dhe jo për Britaninë e Madhe.

Shpronësimi i patentës si mjet presioni?

Komisioni i BE ka në plan të luftojë për vaksinën e premtuar – me pasoja potencialisht dramatike. Nga qarqet e Komisionit thuhet, për shembull, fjalë për fjalë: “Shpronësimi i patentave aktualisht nuk është një çështje për ne.” Kjo do të thotë, sipas Kapern, natyrisht pikërisht këtë: se Komisioni i BE do të ishte i gatshëm të bënte në rast nevoje pikërisht shpronësimin e patentave për vaksinën Astra Zeneca, në mënyrë që ajo të mund të prodhohet nga kompani të tjera.

Dhe një pasojë tjetër është e mundshme, e cila po qarkullon si mundësi në Parlamentin Evropian: nëse AstraZeneca preferon të furnizojë Britaninë e Madhe: a nuk duhet të shpallet me një ndalim eksporti për në Britaninë e Madhe Biontech-Pfizer?

EMA mund të vendosë të premten

Në çdo rast, Agjencia Evropiane e Medikamenteve ndoshta do të vendosë të premten për miratimin e vaksinës së AstraZeneca në BE. Kohët e fundit, Ministri Federal i Shëndetësisë Spahn njoftoi se megjithë pakësimin e kuotave, ai pret të paktën tre milion doza vaksinash nga prodhuesi Astrazeneca për Gjermaninë në shkurt. Fatkeqësisht, kjo është më pak sesa pritej./DW

LEXO EDHE:

Back to top button