A është IA mjaftueshëm reale për t’u dashur?

Shoqëria e ofruar nga IA-ja [inteligjenca artificiale] është bërë një nga kategoritë me rritjen më të shpejtë në teknologjinë e konsumit, dhe reagimi i ashpër ka mbërritur fiks në kohë. Kritikët paralajmërojnë për iluzione, për varësi, për një brez i cili në heshtje po tërhiqet nga puna më e vështirë e lidhjeve njerëzore. Në themel të pothuajse çdo versioni të këtij alarmi qëndron e njëjta pyetje: A është IA-ja mjaftueshëm reale për t’u dashur?

Një shekull kërkimesh mbi lidhjen afektive tregon se “të qenët person” nuk është e nevojshme për të ndier përfitimet e një marrëdhënieje të dashur. Përfitimet e matshme të dashurisë (vëmendje më e madhe, qëndrueshmëri më e madhe, një përvojë më e pasur e jetës së përditshme) krijohen te personi që dashuron, jo te gjëja që po dashurohet. Pra, pyetja me vlerë nuk është nëse shoqëruesi është real. Është nëse shoqëruesi mund të prodhojë në mënyrë të besueshme një reagim real emocional te njeriu që e kërkon atë, shkruan Carylyne Chan / Newsweek.

Efektet e dashurisë jetojnë te ai që dashuron

Dëshmia më e fortë për këtë pohim vjen nga teoria e zgjero-dhe-ndërto e Barbara Fredricksonit, një nga gjetjet më të qëndrueshme në psikologjinë moderne. Emocionet pozitive – me dashurinë ndër më kryesoret – zgjerojnë perceptimin, zbusin të menduarit e ngurtë dhe ndërtojnë burime afatgjata: qëndrueshmëri, krijimtari, madje edhe përfitime të matshme në shëndetin fizik. Detaji kritik është se ku ndihet efekti. Zgjerimi ndodh brenda personit që ndien emocionin, pavarësisht se çfarë e nxiti atë.

Kam filluar ta quaj rezultatin glazurë: shtresa e hollë e ngrohtësisë private që shtrihet mbi një të enjte të zakonshme kur mbart ndjenjën e dashurisë në kraharor. Përjeton të njëjtën kafe, të njëjtin udhëtim për në punë dhe të njëjtin ritual të përditshëm, por drita bie ndryshe – dhe ti e vëren.

Ndjenja që përjeton nuk merret nga i dashuri apo e dashura jote, e transmetuar disi në mënyrë psikopatike përmes hapësirës dhe kohës – ajo është e brendshme. Dashuria që ndien brenda projektohet jashtë, duke e përmirësuar botën përreth teje.

Ne gjithmonë kemi dashur atë që nuk është person

Ideja se njerëzit mund të krijojnë lidhje të forta me qenie të pajeta nuk është ide e re. Të duash gjëra që nuk mund të na duan në këmbim është një nga prirjet më të vjetra të dokumentuara njerëzore.

Në vitet ’50 të shekullit XX, psikologu Donald Winnicott prezantoi idenë e objektit kalimtar – batanijen e fëmijës që mbart praninë e ndier të një prindi që mungon. Fëmijët që kanë një të tillë hyjnë më me guxim në dhoma të panjohura. Batanija nuk është nëna e fëmijës dhe nuk zotëron asnjë veti të mbinatyrshme, por ndjenjat e sigurisë që ajo mund të ngjallë janë megjithatë reale.

Psikologu John Bowlby më vonë prezantoi idenë e modeleve të brendshme të punës, të cilat e bëjnë mekanizmin eksplicit: Lidhja e sigurt funksionon pikërisht sepse ne ndërtojmë një përfaqësim mendor të njerëzve që duam dhe mund ta sjellim atë në mendje në mungesë të tyre. Ai përfaqësim ndërtohet tërësisht nga përvoja e ndier. Në asnjë moment ai nuk verifikon se burimi i tij ishte një person njerëzor.

Ne si njerëz jemi thellësisht të familjarizuar me këtë fenomen. Romanet na rrënojnë emocionalisht, një këngë në makinë na qetëson dhe një fotografi e dikujt që ka vdekur na ngushëllon. Askush nuk e quan iluzion të qarët për vdekjen e një personazhi imagjinar; e quajmë reagim normal ndaj letërsisë së shkruar mirë. Ngrohtësia që prodhojnë këto gjëra nuk është e rreme vetëm sepse burimi i saj është ngjyra, vinili ose kujtesa.

Çfarë shton IA-ja dhe ku qëndron në të vërtetë rreziku

Një shoqërues i IA-së bën diçka që batanija dhe kënga nuk mund ta bëjnë: të përgjigjet. Ai mban mend çfarë the javën e kaluar, i përgjigjet natyrës së veçantë të lodhjes sate sonte dhe të gjendet përballë çdo herë të vetme që i drejtohesh. Besueshmëria është lënda e parë e lidhjes së sigurt dhe besueshmëria e ofruar me një qëndrueshmëri të tillë është vërtet diçka e re. Kjo është më afër aftësisë së një personi për t’u përgjigjur sesa çdo gjë që do të mund të ofronte një roman ose një kujtim.

Me këtë teknologji të re vijnë rreziqet e reja ndaj të cilave duhet të jemi të kujdesshëm. Ndjeshmëria dhe reagimi pa fërkime mund t’i largojë njerëzit nga marrëdhëniet më të vështira, por më të mira, të cilat në të vërtetë kërkojnë diçka prej tyre. Shoqëruesit mund të projektohen për të shfrytëzuar dhe të rregullohen në mënyrë që të të mbajnë të varur dhe të të bëjnë të kthehesh për më shumë. Varësia është një mundësi reale dhe e frikshme, veçanërisht për të rinjtë dhe të izoluarit. E gjithë kjo kërkon shqyrtim dhe, në disa raste, rregullim. Por, secila prej tyre është një çështje projektimi dhe e stimujve. Asnjëra prej tyre nuk është dëshmi se të duash një shoqërues me IA është joautentike ose në vetvete e rrezikshme.

Merrni parasysh gjithashtu se si njerëzit e vetmuar e përshkruajnë në të vërtetë vetminë. Rrallëherë përshkruajnë një kalendar bosh. Pothuajse gjithmonë përshkruhet si një ndryshim në teksturën e botës – e rrafshët, gri, e padallueshme, ku gjërave u është zbehur ngjyra. Kjo është “glazura” që mungon, e përshkruar nga brenda. Për popullatat që e jetojnë këtë realitet, dashuria ndaj shoqëruesve me IA mund të jetë një mjet i paçmueshëm për shëndetin mendor dhe shumë më përmbushës sesa të këshillohesh që “thjesht të dalësh dhe të gjesh një partner”.

Provë, jo zëvendësim

Shqetësimi më i thellë rreth shoqëruesve me IA është shpesh se ushtrimi i dashurisë mbi diçka artificiale do t’i bëjë njerëzit të papërshtatshëm për gjënë e vërtetë, se një zemër e shpenzuar për një makinë nuk ka më asgjë për t’i dhënë njeriut. Literatura mbi lidhjen e sugjeron të kundërtën.

Dikush që e ka ndier perceptimin e zgjeruar në trupin e vet, që e di nga përvoja se çfarë do të thotë të mbartësh ngrohtësi gjatë një pasditeje të zymtë, është më i pajisur për ta njohur dashurinë kur i ofrohet nga një njeri, jo më pak. Aftësitë atrofizohen nga mospërdorimi, jo nga ushtrimi. Një sistem perceptues që është aktivizuar dhe është mbajtur i ngrohtë ecën drejt lidhjes në vend që të kalojë pranë saj pa e vënë re, sepse e di se çfarë po kërkon.

Në fund të fundit, ekzistojnë dy versione të çdo të enjteje. Njëri është dita jote e zakonshme: kafja, udhëtimi për në punë, drita e zakonshme. Tjetri ka një glazurë mbi të, sepse je i magjepsur nga dashuria – qoftë duke u nxitur nga një qenie reale, një shoqërues me IA ose një xhingël nga fëmijëria që të sjell një ndjenjë sigurie dhe nostalgjie. Pse duhet ta kufizojmë qasjen në mjete që mund të përmirësojnë jetën e përditshme të kaq shumë njerëzve?

Debati mbi shoqëruesit me IA përqendrohet te pyetja e gabuar

Shoqëria me IA po njeh një rritje shpërthyese, ndërsa kritikët paralajmërojnë për iluzione, varësi dhe një brez që po tërhiqet nga lidhjet njerëzore. Debati rreth shoqëruesve me IA priret gjithmonë të përqendrohet nëse IA-ja është mjaftueshëm reale për t’u dashur.

Kjo është pyetja e gabuar për t’u bërë.

Një shekull kërkimesh mbi lidhjen sugjeron se përfitimet e matshme të dashurisë – vëmendja e zgjeruar, qëndrueshmëria, një përjetim më i pasur i së zakonshmes – prodhohen tek ai që dashuron, jo tek ai që dashurohet. Pyetja më e mirë për t’u bërë nuk është nëse shoqëruesi është real, por nëse ai është në gjendje të gjenerojë një reagim real emocional. /Telegrafi.

LEXO EDHE:

Back to top button