A i meriton Rusia festimet në Maqedoninë e Veriut?

Sa i meriton këto festime Rusia, aq më tepër në vendin tonë, duke ditur se ajo ka qenë në një betejë të vazhdueshme kundër aspiratave të Maqedonisë drejt NATO-s, shkruan Alsat. Ambasadës ruse iu përzu në mars të vitin 2018 një prej sekretarëve të saj, Sergej Bapkin, që sipas autoriteteve të Maqedonisë, kishte tentuar të merrte informata sekrete në vend si dhe të instalonte agjentë në eshalonin e lartë të pushtetit ekzekutiv. Ambasada ruse paralajmëroi hapur se pala maqedonase do të barte përgjegjësinë e plotë nga ky provokim dhe aktin armiqësor të pa precedent në marrëdhëniet ruso-maqedonase. Në fakt, përzierja e Rusisë u theksua që në janarit të vitit 2015 kur në vend doli skandali i përgjimeve masive. Rusia mbështeti qëndrimin e Qeverisë së asokohe të Gruevskit se bëhej fjalë për një grusht shteti dhe me ndërhyrje të shërbimeve të huaja me furgonë të verdhë. Ambasada ruse në vend i kritikonte dhe dënonte edhe protestat e Revolucionit Shumëngjyrësh duke theksuar se ato nxiteshin nga jashtë, madje qëndrimi i Moskës zyrtare ishte ai se palë të tjera synonin të sanksionin Rusinë përmes Gruevskit dhe lidhjeve në fushën energjike, konkretisht me gazsjellësin jugor, që kishte vendosur veçmë me Rusinë.

 Ngjarjet në Maqedoni po orkestrohen nga palë të jashtme. Qeveria e Gruevskit tentohet të akuzohet për dështim të detyrimeve të tij ndaj kombit, por motivi kryesor është t’i bëhet presion për shkak të refuzimit të tij që ti bashkohej sanksioneve kundër Rusisë. Ky presion është rezultat edhe i projektit Përroi Jugor nga i cili të përfitonte Maqedonia”, tha Sergey Lavrov, Ministër i Jashtëm i Rusisë (20 Maj 2015).

Fryma pro-ruse u ndje edhe gjatë konsituimit të kuvendit të ri, dhe ngjarjeve të përgjakshme të 27 prillit. Vetë kryeministri Zaev që mori dy plagë në kokë gjatë sulmit, deklaroi se në ngjarje ishte e përfshirë edhe Rusia, në atë që ai e quajti “tentativë e Moskës për të fituar ndikim” në Maqedoni. Rusia ishte e zëshme edhe gjatë procesit të zgjidhjes së emrit të vendit, duke mbrojtur qëndrimin se procesi synonte anëtarësimin në NATO dhe ishte kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve. Këtë frymë ajo e përcillte edhe përmes partive satelite të saj në Maqedoni, “Edistvena Makedonija”, “E majta” dhe “Partia Demokratike Serbe”.

Ne kemi pasur takime me partinë Rusia e Vërtetë e cila është parti qeveritare në Rusi, ashtu që ne kemi bashkëpunim politik me atë parti sepse ndajmë të njëjtat vlera. Prioritet strategjik ne e kemi lidhja me Rusinë dhe anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Ekonomik Euro-Aziatik”, pohoi Janko Baçev, kryetar i “Edinstvena Makedonija” (21.06.2018).

 

Për ndikimin rus, fliste edhe një raport i vetë Shërbimit Sekret të Maqedonisë në vitin 2017, se duke përdorur të ashtuquajturën SOFT DIPLOMACY, Rusia tentonte ta veçonte Maqedoninë nga Perëndimi. Këtë e bënte përmes politikës së jashtme ruse dhe strategjisë energjetike, aktiviteteve të inteligjencës ruse, përpjekjeve për të rekrutuar ish punonjës dhe punonjës ushtarakw e policorë në vend, si dhe financimit të mediave, përfshi edhe ato që synonin shqiptarët, për lajme të rreme për bojkot të referendumit si dhe kundër NATO-s. Maqedonia faktoi se rusët punonin kundër marrëveshjes së Prespës, edhe përmes biznesmenit greko-rus Ivan Savidis, i cili kishte siguruar mbi 300 mijë euro për fushatë protestash në qershor të 2018 dhe nxitje përmes rrjeteve sociale kundër arritjes së marrëveshjes. Në dhunë morën pjesë edhe huliganë nga klubi i futbollit Vardar, që nw atw kohw ishte në pronësi të milionerit rus Sergej Samsonenko, përndryshe edhe konsull nderi i Rusisë në qytetin e Manastirit. Pas referendumit të shtatorit dhe ratifikimit të mëvonshëm të marrëveshjes së Prespës dhe zhbllokimit të procesit të NATO-s, ish ambasadori rus i asaj kohe Oleg Shqerbak, tha hapur se në rast të një lufte RUSI-NATO, Maqedonia do të ishte gjithashtu shënjestër sulmi e Rusisë.

Ju si qytetarë të përgjegjshëm të vendit tuaj duhet të mendoni rreth asaj se pas anëtarësimit në NATO, vendi do të bëhet pjesë e makinerisë ushtarake dhe nëse ndodhë ndonjë agresion kundër Rusisë, ju do të jeni objektivi për sulm kthyes. A ju duhet kjo juve dhe fëmijëve tuaj?!”, tha Oleg Shqerbak, ish ambasador i Rusisë në Maqedoni (29.03.2018).

Madje, kërcënimi i asokohe ishte edhe bllokimi i emrit të ri të Maqedonisë në Këshillin e Sigurisë së OKB-së, edhe pse fatmirësisht procesi nuk kishte nevojë për një miratim të tillë.

ALSAT

LEXO EDHE:

Back to top button