A po rikthehet Asociacioni në tavolinën e bisedimeve?
Në prag të takimit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është aktualizuar tema e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, gjë për të cilën janë pajtuar Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, megjithatë mendon se nuk mund të ketë asociacion një-etnik në Kosovë dhe se “është i domosdoshëm integrimi i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnike”. Gjatë një adresimi për media të martën, ai po ashtu deklaroi se për Asociacionin ekziston edhe një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Më herët, Kurti kishte deklaruar, se për shkak që Kushtetuesja kishte gjetur se Marrëveshja për Asociacionin nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, “si i tillë, nuk do të mund të zbatohet në Kosovë”.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha të mërkurën deklaroi se reagimi i Beogradit do të jetë “shumë i fuqishëm dhe i ashpër” sa i përket mosrespektimit të marrëveshjeve ligjore të nënshkruara në Bruksel, në lidhje me formimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai shtoi se nëse Kurti “nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave serbe, por që ne ta njohim Kosovën, atëherë ai nuk ka pse të vijë (në Bruksel)”.
Takimi i parë midis Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel pritet të mbahet gjatë këtij muaji.
Kur u arrit marrëveshja për Asociacionin?
Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, patën arritur Marrëveshjen e parë të Brukselit, ku në bazë të kësaj marrëveshjeje parashihej edhe krijimi i një Asociacioni/Bashkësie të komunave me shumicë serbe.
Asociacioni serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.







