Ademi me 30 ditë arrest shtëpiak, ka keqpërdorur buxhetin e FFK-së

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, nën dyshimin se ka keqpërdorur buxhetin e FFK-së. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj A.A., në Gjykatën kompetente”, thuhet në njoftimin e Ulajt.

Në raportin 24 orësh të Policisë, të enjten, thuhet se Ademi dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”, duke keqpërdorur buxhetin e FFK-së.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, të mërkurën njoftoi se Ademi është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i besimit” dhe “Shmangie nga tatimi”.

Ditë më parë, Policia e Kosovës njoftoi se është intervistuar në stacion policor një zyrtar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ndërsa kreut të kësaj të fundit, Agim Ademi, i ishte lënë ftesë për t’u intervistuar të mërkurën (sot). Kujtojmë se më 15 mars 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Agim Ademit dhe Muharrem Ramës, lidhur me akuzën për detyrim në bashkëkryerjen. /Telegrafi.com/

LEXO EDHE:

Back to top button