Spitali Klinik “Axhibadem Sistina” dhe Federata e Futbollit të Maqedonisë kanë nënshkruar një marrëveshje sponsorizimi dhe bashkëpunimi, me anë të së cilës spitali bëhet partneri zyrtar mjekësor i ekipit kombëtar të futbollit të Maqedonisë, duke ofruar kujdes dhe mbështetje gjithëpërfshirëse mjekësore për lojtarët e ekipit kombëtar A dhe ekipit kombëtar nën 21 vjeç.
Me rastin e fillimit të bashkëpunimit, lojtarët e ekipit kombëtar të futbollit Gjoko Zajkov, Bojan Miovski dhe Ezgjan Alioski, së bashku me trajnerin Goce Sedloski, vizituan qendrën sportive “Premium”, ku u takuan me drejtuesit e spitalit dhe u njohën me mjediset dhe shërbimet mjekësore që do t’u ofrohen në kuadër të partneritetit të ri.
“Është nder dhe kënaqësi për ne të fillojmë bashkëpunimin me futbollistët, që përfaqësojnë vendin tonë në skenën ndërkombëtare sportive. Si spital, jemi krenarë që jemi mbështetja e tyre mjekësore. Shpresojmë që ata do të kenë nevojë për shërbimet tona sa më pak të jetë e mundur, por ekipi ynë do të jetë gjithmonë aty për ta. Jemi veçanërisht të kënaqur që, përveç ekipit kombëtar A, do të ofrojmë mbështetje mjekësore edhe për të rinjtë nën moshën 21 vjeçe”, tha Dr. Mihajlo Ivanovski, specialist i traumatologjisë.
Në kuadër të bashkëpunimit, Spitali Klinik “Axhibadem Sistina” do të sigurojë kujdes të vazhdueshëm mjekësor për lojtarët e ekipit kombëtar, dhe anëtarët e shtabit profesionist gjatë përgatitjeve zyrtare dhe tubimeve përfaqësuese, si dhe mbështetje të plotë mjekësore gjatë ndeshjeve ndërkombëtare të ekipit kombëtar A. Mbështetja do të përfshijë parandalimin, diagnostikimin, trajtimin dhe rehabilitimin e lëndimeve sportive, me qëllim ruajtjen e shëndetit dhe aftësisë fizike të futbollistëve.
“Për ne, futbollistët, ky bashkëpunim do të thotë siguri dhe besim shtesë, sepse e dimë se për shëndetin tonë do të kujdesen profesionistë të nivelit të lartë mjekësorë. Jemi të gatshëm të japim maksimumin në fushë, dhe të vazhdojmë t’i kënaqim të gjithë ata që na mbështesin”, tha lojtari i kombëtares Gjoko Zajkov.
Me këtë partneritet, Axhibadem Sistina konfirmon përkushtimin e saj ndaj shëndetit të sportistëve dhe mbështetjes së sportit maqedonas, duke u siguruar anëtarëve të ekipit kombëtar kujdes mjekësor të sigurt dhe në kohë në rrugën drejt sukseseve të reja sportive.









