Aerodrom-Gazi Babë, ura s’do të jetë gati

Gazetar: Ile Petrevski

“Ekipi i Alsat është ndër të paktët që kalojnë me veturë urën e re të Vardarit, e cila duhet t’i lidhë Komunën e Aerodromit me Komunën e Gazi Babës. Sipas informacioneve, kjo urë nuk do të vihet në qarkullim edhe një vit e gjysmë për shkak se janë edhe 100 objekte për shpronësim. Situata tregon se ura aktualisht përfundon pothuajse në oborret e këtyre shtëpive”, raporton gazetari i Alsatit, Ile Petrevski,

Nëse deri në fund të vitit terreni është i pastër, pa objekte për shpronësim, kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska, thotë se do të shpallet tender për ndërtimin e bulevardit që duhet të kalojë në mes të shtëpive, sepse as kjo nuk është përfunduar nga ish-kryetari. Është bulevard që do ta lidhë vendbanimin Qeramidhja me qendrën e re tregtare. Arsovska akuzon udhëheqësinë e mëparshme se i gjithë projekti ka qenë i paplanifikuar dhe joefikas.

“Nga gjithsej 275 procedura të shpronësimit, për tre vjet menaxhmenti i mëparshëm ka arritur të zgjidhë 31 lëndë dhe me tetë lëndë kanë arritur të hyjnë në proces gjyqësor. Në vetëm katër muaj kemi arritur të zgjidhim 82 raste”, tha Danela Arsovska, kryetare e qytetit të Shkupit

Pothuajse dy vjet më parë, Qyteti i Shkupit i ofroi këtij njeriu, i cili me dekada jeton këtu me familjen e tij, kompensim prej 450 euro për hapësirë banimi, për t’ia lëshuar pronën. Ai dhe fqinjët e tjerë nuk ishin dakord. Ata tani janë në dyshim nëse do të kenë ofertë më të mirë apo do të përballen me probleme të reja.

“Nuk e di deri kur do të na maltretojnë kështu. Ura është bërë, duhet të rregullohet me kohë dhe duhet të sigurohemi. Si do të na paguajnë, të bëjnë vlerësimin e shtëpive, që të mund të blejmë menjëherë”, tha një qytetar

Ndërtimi i urës në Aerodrom ka filluar saktësisht dy vite më parë dhe duhet bërë edhe shumë që projekti të përfundojë. Për më shumë se tridhjetë vjet kjo urë ka qenë pothuajse në të gjitha programet e pushtetit lokal dhe qendror. /Alsat mk

LEXO EDHE:

Back to top button