Ageler: Nuk ka rinegociim të marrëveshjeve

Ageler: Nuk ka rinegociim të marrëveshjeve

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ambasadorja amerikane Angela Ageler thekson se nuk ka rinegociim për Marrëveshjen e Prespës dhe kornizën negoicuese të BE-së. Ageler në intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ishte e kënaqur të shikojë kryeministrin dhe ministrat të përdorin fjalën “e Veriut” në betimin e tyre dhe thotë se tani fokusi duhet të vendoset te prioritetet e tjera dhe të ecet përpara.

“Ata marrëveshje janë bërë. Nuk ka rinegociim për Prespën. Nuk ka rinegociim në rrugën drejt BE-së. Kjo është e qartë. Dhe ka një dallim, siç ne e dimë me siguri në vendin tim, mes asaj që thuhet në fushatë, asaj çfarë është thënë disa vite më herët dhe asaj çfarë thuhet tani për të ecur përpara. Prioritet për ne në Ambasadën e SHBA-së në Shkup dhe për Uashingtonin është që tani të ecim përpara në shumë nga ato prioritetet shumë të rëndësishme për të cilat ky vend duhet të flasë. Ndjej se ka një sasi të caktuar shpërqendrimi dhe mbledhje pikësh në kuptimin kush, çfarë, ku dhe si e thotë kurse pjesa e rëndësishme është të respektohen marrëveshjet ndërkombëtare, gjë që kryeministri ka thënë që do ta bëjë, dhe le të ecim përpara”, tha Angela Ageler, ambasadore e SHBA-së.

Ageler foli dhe për korrupsionin. Ajo thotë se është e vërtetë që qeveria ka premtuar luftë kundër korrupsionin dhe presion të shohin se çfarë veprimesh do të ndërmerren. Idenë e shkarkimit dhe rizgjedhjes së Këshillit gjyqësor e cilësoi si interesante.

“Sinqerisht, nuk e di. Mendoj se është një ide interesante. Mendoj se përpjekja për të larguar politizimin gjatë mbushjes së këtyre këshillave është shumë e rëndësishme por se si kjo do të ndodhë, ne po ashtu si ju, presim që të shohim, se cili është propozimi për të mbushur këto pozita. Mendoj se është një ndihmë që ekziston një udhërrëfyes në raportin e BE-së. Ekzistojnë sugjerime shumë solide nga personat nga BE-ja që erdhën në vend, shqyrtuan këshillin gjyqësor dhe institucionet e tjera gjyqësore dhe bënë rekomandimet e tyre se si mund të bëhet kjo dhe të rrijë brenda standardeve të BE-së”, shtoi ajo.

Ageler gjatë javës së kaluar ka bërë takime me disa nga anëtarët e rinj të ekzekutivit nga të cilët mori garanci se do të vazhdojnë në rrugën evropiane dhe do të vijojnë të mbështesin Ukrainën./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button