Ahmeti: Prioriteti ynë, interesat shtetërore

BDI pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm ka autorizuar kreun e partisë Ali Ahmeti për të vazhduar negociatat me aktorët politik në vend me qëllim gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza politike. Negociatat do të zhvillohen me parti politike në dy blloqet.

“Kryetari Ahmeti do të flasë me të gjitha partitë politike në dy blloqet, përveç partive destruktive të cilat janë qartazi të përcaktuara me programet e tyre kundër përcaktimeve strategjike të vendit tonë dhe qytetarëve”, tha Bujar Osmani, Zëdhënës i BDI-së

Osmani tha se të gjitha opsionet mbeten të hapura, përfshi edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare ose mbetja në opozitë.

“Të gjitha opsionet janë të mundshme, përveç kombinimeve të cilat janë në kundërshtim me interesat strategjike”, shtoi Osmani.

Para takimit kreu i partisë Ali Ahmeti deklaroi se në situatën në të cilën gjendet vendi, prioritet duhet t’i kushtohet interesave strategjike të vendit si marrëveshja me Bullgarinë dhe hapja e negociatave me BE-në. Duke komentuar shumicën e deklaruar nga lideri i opozitës, Ahmeti deklaroi se është e drejtë demokratike, por duhet parë përcaktimi i tyre programor. Kreu i integristëve hodhi poshtë zërat se deputet të partisë së tij janë në negociata për t’iu bashkuar shumicës së deklaruar nga Hristijan Mickoski.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button